Shefi i Agjencisë Qendrore amerikane të Inteligjencës (CIA), William Burns, është duke qëndruar në Kosovë. Në një vizitë të paparalajmëruar, ai ka qëndruar të enjten pasdite në Presidencën e Kosovës.
Vizita e tij ndodh pasi zyrtari i lartë i inteligjencës qëndroi edhe në shtetet tjera të rajonit.
Por kjo nuk është hera e parë që Burns qëndron në Kosovë. Më 18 shkurt 2012, atë kohë në cilësinë e zëvendëssekretarit të Shtetit në SHBA, Burns pati vizituar Kosovën dhe kishte mbajtur takim me liderët e asaj kohe, presidenten Atifete Jahjaga e kryeministrin Hashim Thaçi.
“Zëvendëssekretari amerikan i shtetit, zotëri Burns, tha se SHBA-ja i jep mbështetje dhe përkrahje Kosovës në të gjitha proceset e saj. Ai tha se SHBA-ja është e interesuar për përparimin e gjithë rajonit të Ballkanit, përfshirë Kosovën, drejt integrimeve euroatlantike. Zotëri Burns tha se SHBA-ja do të vazhdojë ta mbështes Kosovën në skenën ndërkombëtare, rajonale dhe atë të brendshme dhe nuk do të inkurajojë asnjë hap që do të dëmtojë pavarësinë e Kosovës”, thuhej atë kohë në komunikatën e Presidencës.
Ndërsa në njoftimin që gjendet në faqen e Qeverisë thuhet se Burns, që vizitonte Kosovën në katërvjetorin e pavarësisë “ka ritheksuar vazhdimin e përkrahjes së gjithanshme të SHBA-ve për shtetin e pavarur dhe demokratik të Kosovës, për fuqizimin e sundimit të rendit dhe ligjit në tërë territorin e Kosovës, si dhe për zbatimin e vizionit për zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik të Kosovës”.
“Zëvendëssekretari Amerikan i Shtetit, z.Burns në takim po ashtu theksoi se SHBA-të do të mbështesin fuqishëm shtetndërtimin e Kosovës, edhe pas përmbylljes së mbikëqyrjes së Pavarësisë”, thuhej në njoftim.