Qeveria njoftoi sot se në ora 15:30, kryeministri Hristijan Mickoski së bashku me ministrin e vetëqeverisjes lokale Zlatko Perinski do të kenë takim me kryetaren e Qytetit të Shkupit Danella Arsovska në objektin e Qeverisë, transmeton Portalb.mk.
Pas takimit, ministri i Vetëqeverisjes Lokale, Zlatko Perinski do të deklarohet për media.
Ky takim vjen, pas ftesës së dy ditëve më parë të Arsovskës për takim me kryeministrin,
“Udhëheqësia e qytetit të Shkupit është e gatshme që nesër të ulet në tryezë të përbashkët me kryeministrin. Ftojmë kryeministrin Mickoski që të përcaktojë datën, vendin, temat për diskutim dhe formatin e takimit”, thuhej në njoftimin e fundit nga qyteti i Shkupit, lidhur me problemet në të cilat po zhytet.
“Temat që do të propozojë qyteti i Shkupit dhe për të cilat besojmë se duhet gjetur zgjidhje janë tejkalimi i bllokadës aktive në Këshill nga ana e këshilltarëve të shumicës qeverisëse, bllokada e ndërmarrjeve nga bordet drejtuese dhe miratimi i programeve të punës së ndërmarrjeve publike. Presim edhe konfirmimin e propozimit për themelimin e trupit të përbashkët punues në mes të qeverisë dhe qytetit të Shkupit. Shpresojmë në qasje të sinqertë dhe partneritet të Qeverisë, në të mirë të qytetarëve”, thuhej në njoftim.
Kjo pasoi pasi kryeministri Hristijan Mickoski komentoi çështjen e revokimit të kredencialeve të kryetares së qytetit të Shkupit, Danela Arsovska, në seksionin e ndërmarrjeve publike “Higjiena Komunale” dhe “Parqe dhe Gjelbërim”. Ai tha se ka shumë probleme në procesin e menaxhimit të administratës në qytetin e Shkupit.
“Shumica e kryetarëve të komunave në qytetin e Shkupit dhe të komunave janë nga VMRO-DPMNE. Ata dolën, kërkuan, ne dhamë afat të arsyeshëm që qyteti më në fund të fillojë pastrimin, shohim sesi qyteti po mbytet në mbeturina, si kemi autobusë të prishur në çdo hap, si ndërrohen drejtorët e ndërmarrjeve publike 17 herë, rrugët dhe bulevardet janë me gropa, nuk po bëhet asgjë. Duhet të bëjmë diçka sepse ata qytetarë na kanë dhënë besimin dhe ne duhet ta justifikojmë. Prandaj, brenda një periudhe të arsyeshme kohore, pres që më në fund qyteti të fillojë të bëjë punën e tij. Dhe kjo nuk ka të bëjë me keqkuptimet politike që kemi pasur me kryetaren Arsovska që pas gjithë kësaj kohe opinioni mund të shohë se të gjitha pretendimet tona për të cilat folëm janë të vërteta”, tha Mickoski.
Kujtojmë se kryetarët e komunave të Shkupit në mbledhjen koordinuese të 14 gushtit, vendosën që t’i dorëzojnë Qeverisë dhe Ministrisë së Mjedisit propozim që tu merren ingerencat Ndërmarrjeve Publike për Higjienë komunale dhe Parqe dhe gjelbërim.
Tema e revokimit të kredencialeve vjen në kushtet e pothuajse mungesës së koordinimit ndërmjet menaxhmentit dhe Këshillit të Qytetit të Shkupit.
Kryetarja Danella Arsovska akuzon se për kaosin komunal është fajtor Këshilli i Qytetit nën kontrollin e Mickoskit, sepse qëllimisht nuk e votojnë programin e saj për pastërtinë publike, gjë që e bën të pamundur punësimin e 100 punëtorëve shtesë, të cilët më parë e kanë pastruar qytetin 20 vjet.
VMRO-DPMNE tha se e gjithë përgjegjësia dhe kompetenca është në dorën e saj dhe se në vend që të kërkojë fajtorë, ajo duhet t’i rreket punës.