Presidentja e vendit, Gordana Siljanovska-Davkova ka përsëritur sot se aktualisht nuk planifikon të mbledhë Këshillin e Sigurimit lidhur me pretendimet për ekzistimin e indikacioneve për destabilizimin e shtetit.
“Të dhënat janë një gjë dhe kërcënimet për destabilizimin janë një gjë tjetër, por realiteti është ndryshe. Unë thashë që nuk do ta mbledh Këshillin sepse mendoj se në këtë stuhi kohore kur duhet të përballemi me zjarret si fatkeqësi natyrore, përballemi edhe me kërcënime të tjera nën thonjëza. Unë nuk i shoh këto kërcënime të jenë realitet tani”, tha Siljanovska-Davkova.
Megjithatë, presidentja la të hapur mundësinë e thirrjes së një seance të Këshillit të Sigurimit, por kjo, siç tha ajo, mund të ndodhë pas një rishqyrtimi.
Deklaratat për destabilizim në vjeshtë erdhën nga kryeministri, Hristijan Mickoski i cili tha se BDI po përgadit grupe nga jashtë vendit për të shkaktuar trazira në Maqedoninë e Veriut.