Ministri i Jashtëm i Kinës, Wang Yi, theksoi se vrasja në Iran e kreut të Byrosë Politike të Hamasit, Ismail Hanijeh, shkel Kartën e Kombeve të Bashkuara (OKB).
Sipas një deklarate të bërë nga ministria e Jashtme e Kinës, Wang zhvilloi bisedë telefonike me homologun e tij egjiptian, Badr Abdelatty.
Wang deklaroi se kanë “dënuar fuqishëm” vrasjen e Haniyes në Teheran dhe bëri vlerësimin se akti i vrasjes në fjalë “e bëri situatën në rajon më të rrezikshme”.
Kjo vrasje ka shkelur parimet e Kartës së OKB-së, theksoi Wang, i cili vuri në dukje se veprime të tilla “minojnë seriozisht përpjekjet për të mbështetur paqen dhe për ta bërë armëpushimin në Gaza gjithnjë e më të paarritshëm”.
Duke tërhequr vëmendjen se Këshilli i Sigurimit i OKB-së pranoi vendimin e armëpushimit në Gaza, por lufta nuk është ndalur ende, Wang tha se përballë situatës aktuale në Gaza nuk duhen zbatuar standarde të dyfishta.
Më tej Wang theksoi rëndësinë e zgjidhjes me dy shtete për të siguruar një armëpushim të përhershëm në Gaza.
Atentati ndaj kreut të Byrosë Politike të Hamasit
Hanijeh ndodhej në Teheran për të marrë pjesë në ceremoninë e betimit të presidentit të ri të Iranit, Masoud Pezeshkiyan.
Ushtria e Gardës Revolucionare e Iranit në një deklaratë mëngjesin e 31 korrikut, njoftoi se ndaj Haniyeh është kryer sulm në rezidencën ku ai po qëndronte në Teheran.
Për atentatin, Irani dhe Hamasi mbajtën përgjegjës Izraelin ndërsa zyrtarët izraelitë janë shmangur nga deklarata lidhur me ngjarjen. Haniyeh u zgjodh kryetar i Byrosë Politike të Hamasit nga Këshilli Shura i Hamasit më 6 maj 2017, duke zëvendësuar Khaled Mashalin. Jahya Sinwar shef i ri i Byrosë Politike të Hamasit Lëvizja e rezistencës palestineze Hamas ka emëruar Jahya Sinwarin si shefin e ri politik të saj.
Sinwar, i cili deri më tani ishte shefi i grupit në Gaza, do të zëvendësojë Ismail Hanijen, i cili u vra nga Izraeli në Teheran pasi mori pjesë në ceremoninë e betimit të presidentit të ri të Iranit më 31 korrik.
Duke e zgjedhur atë si kreun e grupit, Hamasi “po i dërgon një mesazh të fortë okupatorit se Hamasi vazhdon rrugën e tij të rezistencës”, tha një zyrtar i lartë i Hamasit për AFP-në.
61-vjeçari është një operator sigurie “par excellence”, sipas Abu Abdallah, një anëtar i Hamasit që kaloi vite së bashku me të në burgjet izraelite.
“Ai merr vendime në qetësinë më të madhe, por është i vështirë kur bëhet fjalë për mbrojtjen e interesave të Hamasit”, tha Abu Abdallah për AFP-në në vitin 2017. I lindur në kampin e refugjatëve Khan Younis në vitin 1962 në Gazën jugore, Sinwar iu bashkua Hamasit kur Sheikh Ahmed Yassin themeloi grupin rreth kohës kur filloi Intifada e parë palestineze në 1987.
Ai konsiderohet si një nga lojtarët kryesorë midis Brigadave Qassam dhe Byrosë Politike të organizatës.