Ministri për Çështjeve Evropiane, Orhan Murtezani sot mbajti konferencë tematike për shtyp, dke iu referuar qëllimeve të përcaktuara sipas të cilave Ministria për Çështje Evropiane do të veprojë gjatë mandatit të tij. Ai iu referua disa çështjeve të rëndësishme, siç janë përdorimi i fondeve të BE-së përmes IPA fondeve, “respektivisht, sfidat me të cilat ballafaqohemi, rreziqet ndaj të cilave jemi të ekspozuar dhe masat që po marrim për të përmirësuar aftësinë tonë për të përdorur këto resurse kryesore financiare. “, theksoi Murtezani.
Murtezani theksoi se shkalla e absorbimit i fondeve evropiane është e pamjaftueshme, me vetëm 34% të fondeve në dispozicion të mbuluara nga kontratat e nënshkruara dhe vetëm 22% të fondeve të paguara. Kjo pasqyron problem më të gjerë të jo-efikasitetit, i cili rezultoi me humbje të konsiderueshme të mjeteve.
“Në dy vitet e kaluara, krahas zbatimit të ngadaltë të IPA-s, Maqedonia e Veriut u ballafaqua me fonde të pashfrytëzuara të IPA-s, të cilave u skadoi afati dhe u kthyen në buxhetin e Bashkimit Evropian. Kështu që, në fund të vitit 2022 dhe 2023 humbëm 24 milionë euro, respektivisht 55 milionë euro në dy vitet përkatëse, respektivisht gjithsej 79 milionë euro. Vlerësohet se deri në fund të vitit 2024 ekziston rreziku i humbjes së 43 milionë eurove shtesë nga IPA II – nënvizoi Ministri.
Murtezani i prezantoi edhe masat strategjike për menaxhim me këto sfida, mes të cilave janë përforcimi i IPA kapaciteteve përmes punësimeve të reja dhe politika për mbajtjen e stafit të IPA strukturës: “Variacioni i lartë i profesionistëve të trajnuar të IPA-s, shpesh tërhiqen nga sektori privat, krijon shqetësim. Qëllimi ynë është të krijojmë kornizë të qartë për zhvillimin e karrierës dhe mbajtjen e stafit brenda IPA strukturës – theksoi Murtezani dhe shtoi:
“Efikasiteti dhe efektiviteti i përdorimit të fondeve evropiane nuk është vetëm çështje administrative, por i një rëndësie thelbësore për zhvillimin tonë nacional dhe rrugën drejt anëtarësimit në BE. Jemi të detyruar të ballafaqohemi me këto sfida në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe të përmbushim detyrimet tona ndaj qytetarëve tanë.”
Ministri njoftoi edhe për vizitë nëpër institucione që punojnë me projekte të financuara nga IPA, se si në mënyrë të ndërsjellë mund të vendoset bashkëpunim të ngushtë në identifikimin dhe tejkalimin e sfidave nën dritën e fondeve evropiane për projekte kapitale me rëndësi vitale për qytetarët.
Në vazhdim tekst integral i fjalimit të Ministrit për Çështje Evropiane:
Të nderuar përfaqësues të mediave,
Kam nderin që sot të shfrytëzoj rastin zyrtarisht për herë të parë të ju drejtohem nga kjo foltore, në cilësinë e Ministrit për Çështje Evropiane dhe Koordinator Nacional i IPA-s. Me marrjen e mandatit, i përcaktova qëllimet me të cilat do të veproj në periudhën e ardhshme, e mes tjerash, edhe përmirësimin e shfrytëzimit të fondeve të BE-së. Nga këtu, qëllimi i konferencës së sotme tematike për shtyp, është që t’i adresoj disa çështje me rëndësi të jashtëzakonshme siç janë: shfrytëzimi i fondeve të BE-së përmes IPA fondeve, respektivisht sfidat me të cilat po ballafaqohemi, rreziqet ndaj të cilave ekspozohemi dhe masat që po i ndërmarrim për të përmirësuar aftësinë tonë për shfrytëzimin e këtyre resurseve kryesore financiare.
Perspektiva financiare 2014-2020, që aktualisht po zbatohet, gjithsej disponon me rreth 640 milionë euro. Gjysma e këtyre mjeteve zbatohen përmes menaxhimit të drejtpërdrejtë, ku Delegacioni i BE-së i përgatit, shpall dhe zbaton procedurat e tenderimit dhe lidh kontrata me kontraktuesit e përzgjedhur në emër dhe në llogari të institucioneve të Maqedonisë së Veriut. Gjysmën tjetër, vendi e morri në dispozicion për t’i zbatuar përmes menaxhimit indirekt. Bëhet fjalë për 258,5 milionë euro nga IPA fondet, të cilat me ko-financim nacional arrijnë në 302,4 milionë euro.
Deri në fund të vitit 2023, Sektori për financim qendror dhe lidhje të kontratave (SFQK) pranë Ministrisë së Financave ka nënshkruar 58 kontrata me vlerë të përgjithshme prej 109,1 milionë euro, nga të cilat 88,7 milionë euro janë nga BE-ja. Bëhet fjalë për investime në sektorët e transportit, mjedisit jetësor dhe klimës, punësimit dhe arsimit, por edhe projekte në sferën e drejtësisë dhe të punëve të brendshme. Si ilustrim në kuadër të këtyre projekteve janë projektet e mëdha infrastrukturore si seksioni rrugor Drenovë-Gradsko, seksioni hekurudhor Kriva Pallankë-kufiri me Bullgarinë, impiantet për trajtimin e ujërave të zeza në Tetovë dhe Manastir, rrjeti i kanalizimit në Kërçovë, qendra rajonale për trajtimin e mbetjeve në rajonin verilindor dhe lindor dhe shumë projekte të tjera. Megjithatë, shkalla e absorbimit është e pamjaftueshme, me vetëm 34% të fondeve në dispozicion të mbuluara nga kontratat e nënshkruara dhe vetëm 22% të fondeve të paguara. Kjo pasqyron problem më të gjerë të jo-efikasitetit, i cili rezultoi me humbje të konsiderueshme të mjeteve.
Gjegjësisht, në dy vitet e kaluara, krahas zbatimit të ngadaltë të IPA-s, vendi u ballafaqua me fonde të pashfrytëzuara të IPA-s, të cilave u skadoi afati dhe u kthyen në buxhetin e Bashkimit Evropian. Kështu që, në fund të vitit 2022 dhe 2023 humbëm 24 milionë euro, respektivisht 55 milionë euro në dy vitet përkatëse, respektivisht gjithsej 79 milionë euro. Vlerësohet se deri në fund të vitit 2024 ekziston rreziku i humbjes së 43 milionë eurove shtesë nga IPA II.
Shkalla e ngadaltë e shfrytëzimit të IPA fondeve mund t’u atribuohet disa faktorëve kyç. Fillimisht, ka mungesë të konsiderueshme të numrit të mjaftueshëm të personelit të kualifikuar në strukturën nacionale të IPA-s. Kjo në mënyrë shtesë komplikohet nga vonesat në procedurat për prokurim dhe mungesë të projekteve të mira infrastrukturore.
Për t’u ballafaquar me këto sfida, po i ndërmarrim masat e mëposhtme strategjike:
Përforcimi i IPA kapaciteteve përmes punësimeve të reja: Nevojë urgjente për plotësim në IPA strukturën duke i dhënë prioritet punësimeve në institucionet përkatëse nacionale.
Politika për mbajtjen e stafit të IPA strukturës: Variacioni i lartë i profesionistëve të trajnuar të IPA-s, shpesh tërhiqen nga sektori privat, krijon shqetësim. Qëllimi ynë është të krijojmë kornizë të qartë për zhvillimin e karrierës dhe mbajtjen e stafit brenda IPA strukturës.
Angazhimi ynë për të përmirësuar absorbimin e IPA fondeve është i rëndësisë së veçantë, posaçërisht tani që Bashkimi Evropian po rrit mbështetjen financiare për vendin përmes “Planit të Rritjes” së Komisionit Evropian për Ballkanin Perëndimor, duke përfshirë Agjendën reformuese dhe Instrumentin për reforma dhe rritje.
Sot në seancën e Qeverisë do të prezantoj raportin gjithëpërfshirës të përdorimit të IPA fondeve. Ky raport do të demonstrojë planin tonë operativ për përmirësimin e kapaciteteve të institucioneve dhe për tu siguruar se plotësisht i shfrytëzojmë mundësitë që na ofrojnë fondet evropiane. Do t’i propozoj Qeverisë të rishikohen planet për punësim në IPA strukturën, të cilat kjo strukturë i përpunon në përputhje me rregullat dhe praktikat e mira evropiane dhe do të propozojmë prioritizimin e punësimit në ministritë përkatëse siç janë: Ministria e Financave, Ministria e Transportit , Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Ministria e Ekonomisë dhe Punës, Ministria e Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë, si dhe ndërmarrjet publike të cilët do ti realizojnë projektet infrastrukturore.
Në mënyrë shtesë, do të kërkojmë përvoja krahasuese nga vende të caktuara anëtare të BE-së dhe vendet kandidate për në BE nga rajoni, që të mësojmë nga suksesi i tyre në menaxhimin dhe zbatimin e mjeteve të BE-së, respektivisht ti zbatojmë praktikat e mira në këtë proces kompleks.
Si përfundim, analiza financiare e shfrytëzimit të IPA fondeve gjatë viteve është jashtëzakonisht dekurajuese. Derisa përdorim mjete nga kredi të ndryshme, kemi dhjetëra milionë euro të pashfrytëzuara për investime kapitale nga fondet e BE-së. Është koha që nga angazhimet deklarative për integrim në BE të kalojmë në veprime konkrete. Efikasiteti dhe efektiviteti i përdorimit të fondeve evropiane nuk është vetëm çështje administrative, por i një rëndësie thelbësore për zhvillimin tonë nacional dhe rrugën drejt anëtarësimit në BE. Jemi të detyruar të ballafaqohemi me këto sfida në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe të përmbushim detyrimet tona ndaj qytetarëve tanë.
Njëherësh, planifikoj vizitë nëpër institucione që punojnë me projekte të financuara nga IPA, që në mënyrë të ndërsjellë të mund të vendosim bashkëpunim të ngushtë në identifikimin dhe tejkalimin e sfidave nën dritën e fondeve evropiane për projekte kapitale me rëndësi vitale për qytetarët.