Shkup, 20 qershor – Deri para dy viteve, 1.000 euro në muaj kanë mjaftuar për të bë jetë gati luksoze për një familje katër anëtarëshe në Maqedoni, kurse të dhënat e fundit statistikore tregojnë se 1.0000 euro tani nuk mjaftojnë as për produktet bazike të një familje katëranëtarëshe, e të mos flasim për familje që kanë më shumë anëtarë, shkruan Zhurnal.
Përkthyer në denarë, Shporta minimale sindikale për muajin qershor është 60.325 denarë. Brengos fakti se ka vazhduar rritja, këtë muaj për 235 denarë, në krahasim me muajin i kaluar, kur ishte 60.090 denarë. e në krahasim me janarin e këtij viti, kur shporta minimale sindikale ishte 57.163 denarë, këtë muaj është rritur për 3.162 denarë ose 5,5 përqind.
Nëse futemi në detaje, sipas llogaritjeve të Lidhjes së Sindikatave të Maqedonisë (LSM), një familje prej katër anëtarësh në qershor duhet të ndajë 21.952 denarë ose 36,4 përqind nga shuma e përgjithshme e shportës minimale për ushqim dhe pije. Për rroba dhe këpucë 4.962 denarë, për qira, ujë, rrymë dhe ngrohje 6.014 denarë, për higjienë personale dhe mirëmbajtje të higjienës në shtëpi 1.827 denarë, për shëndet 1.069 denarë dhe për transport 4.871 denarë.
Një familje prej katër anëtarësh në qershor të këtij viti i nevojiten 3.240 denarë nga shuma e përgjithshme e shportës minimale për komunikim, për rekreacion dhe kulturë 4.378 denarë, për arsim 7.022 denarë, për restorante dhe hotele 3.890 denarë dhe për mallra dhe shërbime tjera 1. 100 denarë.
Sipas përllogaritjeve të LSM-së, ato familje që jetojnë në banesë me qira kanë nevojë për 15.375 denarë shtesë.
A do t’i përmirëson gjërat stopimi i shtrenjtimit të rrymës?
Energjia dhe çmimet e energjenseve në ditë të sotit konsiderohen si “nëna e të gjitha shtrenjtimeve” dhe e inflacionit. Një rritje e vogël e çmimeve të energjisë, shkakton zinxhir shtrenjtimesh në të gjitha sferat, veçanërisht tek produktet ushqimore, që si të tilla prekin më së tepërmi kategoritë më të ndjeshme të qytetarëve. Dalja nga kontrolli i çmimit të energjisë, shkakton shtrenjtime të pakontrollueshme të gjitha produkteve dhe ushqimeve, që pastaj nuk kanë të ndalur, shkruan Zhurnal. Prandaj pak shpresë se shtrenjtimet do të marin fund, ose do të futen në binarë të një normaliteti, është paraqitur me propozimin për ndaljen e rritjes së çmimit të energjisë.
Një grup deputetësh nga koalicioni “Maqedonia Jote” i udhëhequr nga VMRO-DPMNE, sot në Kuvend ka dorëzuar Projektligjin për ndryshimin e Ligjit për Energjetikë me procedurë të shkurtuar me çfarë nuk do të ketë rritje të çmimit të energjisë elektrike për amvisëritë, informon në konferencë për media në Kuvend mandatari dhe lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski.
“Duke pasur parasysh se si qeveri e ardhshme nuk duam të ndërhyjmë në punën e organeve të pavarura rregullatore, por edhe si qeveri e ardhshme kemi përgjegjësi, ndërsa këtë e premuam edhe para qytetarëve gjatë fushatës për zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare se ato do të jenë prioriteti ynë dhe standardi i qytetarëve do të jetë prioriteti ynë dhe si qeveri synojmë të kujdesemi seriozisht të kujdesemi për standardin e tyre dhe të mos lejojmë që i njëjti për interesa të vogla të individëve të fillohet, gjegjësisht të rrezikohet. Në këtë kuptim, një grup deputetësh nga koalicioni “Maqedonia Jote” i udhëhequr nga VMRO-DPMNE, sot jam i pari që e nënshkruan, dorëzuam në arkivin e Kuvendit të Maqedonisë Propozim-ligjin për plotësimin e Ligjit me procedurë të shkurtuar, me çfarë nuk do të ketë rritje të çmimit të energjisë elektrike për amvisëritë, gjegjësisht standardi i qytetarëve do të mbrohet dhe nuk do të lejohet rritje dramatike e çmimit të energjisë elektrike”, tha Mickoski.
Ai sqaroi se me këto ndryshime para së gjithash amvisëritë të cilat janë në grupin e parë dhe të dytë nuk do të kenë rritje të faturave të energjisë elektrike, ndërsa nuk pret rritje të ndjeshme edhe për konsumatorët e grupit të tretë dhe të katërt, gjegjësisht kjo do të lëvizte nga 1 deri në 2 për qind.
Me dorëzimin e propozim-ligjit, siç tha, do të parandalohet një rritje prej 5 për qind të çmimit të energjisë elektrike duke filluar nga 1 korriku, sipas vendimit të marrë këto ditë nga Qeveria teknike.
Mickoski sqaroi se çmimi i energjisë elektrike formohet si shumë prej katër shumash: çmimi për shërbimet e MEPSO-s, të distribimit të EVN-së, të operatorit të tregut MEMO dhe çmimi i energjisë elektrike nga EMV (ish-ELEM), i cili me vendim të Qeveria teknike duhet të rritet me 5 për qind, përkatësisht nga 57 në 60 euro për kilovat orë.
Ai gjithashtu i dërgoi një mesazh furnizuesit universal që të bëjë, siç thotë, një optimizim shumë të kujdesshëm të nevojave të tij, gjegjësishtgjatë furnizimit të energjisë elektrike të udhëhiqet fillimisht nga interesat e qytetarëve, të mos furnizojë sasi të energjisë elektrike që nuk do të jetë e nevojshme, pra të bëjë optimizim në furnizimin e saj të energjisë elektrike.
Ai paralajmëroi se do të merren aktivitetet në gjashtë muajt e ardhshëm që ta riorganizojnë sektorin eneergjetik dhe tashmë në periudhën e ardhshme rregullative nga 1 janari i vitit 2025 deri më 30 qershor të vitit 2025 qytetarët do të marrin fatura më të lira të energjisë elektrike, si dhe industria që është në tregun e rregulluar. Pa marë parasysh se nga kush propozohet, mendojmë se bëhet fjalë për një Ligj që meriton përkrahjen e të gjithëve, sepse përndryshe “na mori lumi” neve si qytetarë nga shtrenjtimet e pandalshme./Zhurnal