Deputeti i Kuvendit, Burim Meta nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje ka ironizuar me ish-kryeministrin e Malit të Zi, Dritan Abazoviq, i cili u shpreh hapur se do ta përkrahë Serbinë në ndeshjen kundër Anglisë në kuadër të ‘Euro 2024’.
Meta me anë të një postimi në ‘Facebook’ ka ironizuar duke i shprehur ngushëllime Abazoviqit për humbjen e Serbisë, duke iu referuar në gjuhën serbe “gospodine” apo “zotëri”, shkruan Gazeta Insajderi.
“Ngushëllime për humbjen e Serbisë, gospodine Abazoviq!”, ka shkruar Meta në ‘Facebook’.
“Uroj të mos fitoj kurr më as ti e as Serbia!”, ka vijuar postimi i tij.
Abazoviq në një deklaratë për RTS (Radio-Televizionin e Serbisë), ka bërë të ditur se do të ndjekë ndeshjen mes Serbisë dhe Anglisë në Euro 2024 në stadium, duke shprehur mbështetjen e tij për Serbinë.
“Nesër në mbrëmje do të jem në stadiumin e Gelsenkirchen, duke brohoritur për Serbinë kundër Anglisë. Shpresoj se është koha për befasinë e parë të madhe, edhe një barazim dhe do të ishte rezultat i mrekullueshëm, por pse të mos besoni se Anglia mund të rrëzohet”, tha Abazoviq.
Ish-kryeministri i Malit të Zi tha se beson në kalimin e Serbisë në fazën tjetër të garës.
“Nesër është testi më i madh, nëse shkon mirë, mendoj se do të jetë një ecuri e madhe. Serbia ka individë të mrekullueshëm, mendoj se më në fund do të tregojnë se janë një ekip i madh”, tha Abazoviq. /Insajderi.org/