Jo thjesht e mundi, e dominoi, e shkatërroi! Bayer Leverkuseni i pamposhtur u shkri 3-0 përballë një Atalante gjigante, e aftë të realizojë një arritje të jashtëzakonshme. Nuk kishte humbur kurrë gjatë gjithë sezonit skuadra gjermane. 51 ndeshje pa humbje, me 42 fitore dhe 9 barazime.
Një rrugëtim unik në historinë e futbollit europian, i ndalur në mënyrën më brutale nga Atalanta në këtë finale të Europa League. Që do të mbetet e paharrueshme. Jo vetëm për rezultatin, por edhe mënyrën se si erdhi.
Superioriteti i italianëve ishte total: taktikë, atletikë, teknikë, shpirt gare. I fisnikëruar nga 3 perla të Ademola Lookman. Talent i pastër por që nigeriani e kishte shfaqur vetëm me raste deri më tani në karrierën e tij. Këtë herë, në mbrëmjen më të rëndësishme e shpalosi të gjithë potencialin që zotëron.
Këtu është edhe firma e trajnerit që e hodhi në fushë bashkë me Scamaccan dhe De Ketelaere. Edhe pse mund të rrezikonte të prishte ekuilibrin e skuadrës. “Ta luajmë pa frikë”, ishte motoja e gjeniut Gian Piero Gasperinit.