“23.7% e të rinjve në Maqedoni nuk studiojnë, nuk punojnë dhe nuk trajnohen

4 Min. Leximi

Në Ditën Ndërkombëtare të të Rinjve, më 12 gusht, organizata joqeveritare “Hera” ngre alarmin për situatën shqetësuese të të rinjve në Maqedoninë e Veriut, shkruan Flaka Media. Sipas të dhënave zyrtare, 23.7% e të rinjve të moshës 15–29 vjeç janë NEET – as në arsimin formal, as në punë apo trajnime – përqindje shumë më e lartë se mesatarja evropiane, që tregon mungesë serioze të kujdesit sistemik ndaj kësaj gjenerate.

“Hera” thekson se të rinjtë përballen me shumë sfida: papunësi të lartë, cilësi të ulët të arsimit, mungesë të shërbimeve shëndetësore për të rinjtë, pak mbështetje institucionale, mungesë hapësirash të sigurta publike, dhe korruptim. Kjo i detyron të kërkojnë perspektivë jashtë vendit.

- Advertisement -

Sipas Strategjisë Kombëtare për të Rinj 2023–2027:

- Advertisement -

“Më shumë se dy të tretat e të rinjve ndjejnë se nuk janë përfshirë si duhet në procesin e vendimmarrjes dhe 70% nuk janë të interesuar për politikë.”
“51.4% mendojnë se autoritetet nuk kujdesen për nevojat e tyre, ndërsa vetëm 1.1% besojnë se kjo kujdesje është e plotë.”
“73.7% nuk janë përfshirë apo konsultuar nga institucionet lokale ose qendrore në vendimmarrje.”
“74.4% nuk bëjnë pjesë në asnjë organizatë apo formë tjetër organizimi.”

Megjithatë, Ligji për pjesëmarrjen e të rinjve në politikë dhe politika rinore, në fuqi nga viti 2020, zbatohet shumë pak në nivel lokal: vetëm 19 komuna kanë këshilla rinore të formuara, dhe vetëm 7 komuna kanë miratuar strategji rinore lokale.

Gjendja me shëndetin mendor është gjithashtu shqetësuese:

“64% e vajzave 15-vjeçare përjetojnë dy ose më shumë simptoma psikosomatike javore, dhe 53% kanë gjendje depresive.”
Rritet edhe dhuna, ndaj kërkohen programe për përmirësimin e shëndetit mendor të fëmijëve dhe të rinjve.

Në prag të zgjedhjeve lokale, “Hera” i bën thirrje kandidatëve të konsultohen me të rinjtë për programet e tyre dhe të marrin masa konkrete, jo vetëm premtime.
Mes kërkesave janë:

Formimi i këshillave rinore funksionale në çdo komunë, me kompetenca reale dhe transparencë në zgjedhje;
Ndarja e fondeve specifike për politikat rinore me përfshirje aktive të të rinjve në menaxhimin e tyre;
Sigurimi i hapësirave publike falas dhe të sigurta për aktivitete rinore;
Mbështetja e punësimit të të rinjve me programe lokale për vetëpunësim, mentorim dhe subvencione;
Ngritja e shërbimeve lokale për shëndetin mendor;
Bashkëpunim me organizatat rinore për edukim joformal dhe programe kulturore;
Përfshirja e të rinjve në strategjitë lokale të zhvillimit.
Organizata përfundon:

“Ndalja e ikjes së të rinjve nuk zgjidhet me thirrje patriotike, por me investime konkrete dhe afatgjata në potencialin dhe kushte për jetesë.”
“Pushteti lokal është linja e parë e kontaktit me të rinjtë dhe aty duhet të fillojnë ndryshimet e vërteta.”
“I ftojmë institucionet, politikanët, mediat dhe shoqërinë civile të trajtojnë të rinjtë si partnerë të barabartë në vendimmarrje dhe krijim të së ardhmes.”
“Të rinjtë nuk janë vetëm e ardhmja, ata janë motor i ndryshimit – këtu dhe tani.” Flaka Media

TOP Lajmet

ETIKETUAR:
Ndani këtë artikull