13 denoncime për operacione të panevojshme, ekspertët e huaj pas zgjedhjeve

2 Min. Leximi

Deri tani në Ministrinë e Shëndetësisë kanë mbërritur 13 denoncime për ndërhyrje të panevojshme kardiologjike dhe kardiokirurgjikale, konfirmoi sot ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu. Ai tha se komisioni i posaçëm tashmë ka përfunduar shqyrtimin e tetë rasteve, ndërsa të martën do të vazhdojë punën për pesë të tjerë.

„Komisioni i përfundoi tetë rastet. Kemi edhe pesë të tjera, do të vazhdojë të martën. Ekspertët e huaj do të vijnë kur të jemi të përgatitur, por për shkak të pengesave ligjore marrëveshja me ta do të nënshkruhet pas zgjedhjeve“, deklaroi Aliu gjatë vizitës në Klinikën e Kardiokirurgjisë shtetërore, ku u promovua salla hibride e përmirësuar.
Drejtori i Klinikës së Kardiokirurgjisë, dr. Dejan Dimitrovski, theksoi se ai nuk ka marrë pjesë në përzgjedhjen e rasteve. „Bëhet fjalë për pacientë tek të cilët është kryer koronarografi para dhe pas operacionit, ku janë vërejtur parregullsi“, tha Dimitrovski.

Komisioni, i formuar në fund të gushtit pas akuzave të kardiokirurgut dr. Sashko Kedev për kryerjen e ndërhyrjeve të panevojshme në shëndetësinë private, është i përbërë nga ekspertë vendas, juristë dhe përfaqësues të FSSH-së dhe Ministrisë së Shëndetësisë.

Kedev, në një intervistë publike, paralajmëroi se në disa spitale private kryhen ndërhyrje vetëm për profit, si stentime dhe operacione të panevojshme, pa përmendur ndonjë institucion konkret. Pas deklaratës së tij, spitali privat „Acibadem Sistina“ paralajmëroi padi për shpifje nëse ai nuk saktëson për cilën klinikë bëhet fjalë.
Pjesa më e madhe e punës sime konsulente është t’i bind pacientët të mos pranojnë ndërhyrje të panevojshme. Përballemi me procedura të pajustifikuara nga aspekti mjekësor dhe kemi dëshmi se disa qendra duhet të mbyllen“, theksoi Kedev.

Ndërkohë, Ministria ka kërkuar nga të gjitha institucionet publike shëndetësore që të dorëzojnë të dhëna për numrin e procedurave të kryera nga janari 2022 deri në gusht 2025, me qëllim sqarimin e plotë të rastit.

TOP Lajmet

Ndani këtë artikull