Rreth 2,5 milionë euro, apo 150 milionë denarë, do të kushtojë zgjerimi i rrugës “Cvetan Dimov” në Çair. Qyteti i Shkupit dhe Komuna e Çairit do të nënshkruajnë një marrëveshje për bashkëpunim ndërkomunal për nisjen e projektit të zgjerimit të kësaj pjese rrugore, e cila paraqet një nyje të ngushtë në qytet, transmeton sdk.
Në marrëveshjen për bashkëpunim ndërkomunal, e cila pritet të miratohet në seancën e nesërme të Këshillit të Qytetit të Shkupit, thuhet se Qyteti i Shkupit, në realizimin e këtij bashkëpunimi, do të marrë pjesë me mjete në vlerë prej 150.000.000 denarësh, me TVSH të përfshirë, të siguruara nga Buxheti i Qytetit të Shkupit. Parashihet që 5.000.000 denarë të sigurohen nga buxheti i këtij viti, 55 milionë denarë në vitin 2027 dhe 90 milionë denarë në vitin 2028. Qyteti do të marrë pjesë edhe në zgjidhjen e çështjeve pronësore-juridike.
Komuna e Çairit, në realizimin e këtij bashkëpunimi, do të marrë pjesë me hartimin e një Projekti Urbanistik të rishikuar për infrastrukturë, me projekt ideor dhe bazë të trafikut.
“Në bazë të vlerësimit të bërë nga hartuesi i dokumentacionit projektues, është konstatuar se për realizimin e ndërtimit, rikonstruksionit dhe mirëmbajtjes së rrugës ‘Cvetan Dimov’, nga kryqëzimi me bulevardin ‘Nikola Karev’ deri te kryqëzimi me rrugën ‘Xhon Kenedi’, nevojiten 150 milionë denarë”, thuhet në arsyetimin e vendimit për bashkëpunim ndërkomunal.
Rruga “Cvetan Dimov” aktualisht ka nga dy korsi në të dy drejtimet, por në të ka vazhdimisht bllokime të trafikut, pasi njëra korsi shpesh bllokohet nga automjetet e parkuara./ZYRTARE.net/

