ZGJEDHJET LOKALE 2025: Rreth 10 milionë euro dhe 21 mijë administratorë në terren

7 Min. Leximi

Buxheti i përgjithshëm për mbajtjen e zgjedhjeve lokale 2025, i cili tashmë është publikuar, është 9 milionë e 760 mijë euro, prej të cilave dy të tretat janë para të dedikuara për mediat dhe për reklamimin politik të paguar. Sipas numrit të pjesëmarrësve dhe administratës zgjedhore, përfshirë të punësuarit në KSHZ, zgjedhjet lokale të tetorit do të jenë më të mëdhatë dhe më masivet

Shkup, 7 gusht – Lokalet e 2025-ës po trokasin. Sipas informacioneve nga Parlamenti, zgjedhjet pritet të shpallen të premten ose të shtunën, ndërsa qytetarët do t’i drejtohen kutive të votimit më 19 tetor dhe raundi i dytë më 2 nëntor. Në këto zgjedhje do të zgjidhen kryetarë dhe këshilltarë komunalë në 80 komuna të vendit dhe në Qytetin e Shkupit. Sipas numrit të pjesëmarrësve dhe administratës zgjedhore, përfshirë të punësuarit në Komisionin Shtetëror të Zgjedhjeve, zgjedhjet lokale janë më të mëdhatë dhe më masivet. Karakteristikë për këto zgjedhje është gjithashtu se diaspora nuk do të ketë të drejtë vote, dhe nëse ndonjë shtetas i Maqedonisë dëshiron ta realizojë të drejtën e tij të votës, do të duhet të udhëtojë në vend, shkruan gazeta KOHA. Menjëherë pas shpalljes së zgjedhjeve të premten ose të shtunën, KSHZ do të mbajë një seancë publike në të cilën, në përputhje me Kodin Zgjedhor, do të shpallet kalendari me të gjitha afatet për veprimet zgjedhore, si dhe të gjitha të drejtat dhe detyrimet për organet zgjedhore, pjesëmarrësit në zgjedhje dhe për mediat.

- Advertisement -

Deri në fund të muajit, KSHZ do të përfundojë përzgjedhjen e rastësishme të anëtarëve të këshillave zgjedhorë nga radhët e administratës, sipas të dhënave nga Ministria për Administratë Publike. Për 3500 vendvotime duhet të zgjidhen 21.000 persona nga administrata që do të jenë në këshillat zgjedhorë, të cilët gjatë muajit shtator do të kalojnë një trajnim të plotë për zbatimin e zgjedhjeve dhe do të pajisen me manuale. Përveç kësaj, VMRO-DPMNE, LSDM, BDI dhe VLEN, si partitë apo koalicionet që kanë marrë më shumë vota në zgjedhjet e kaluara, gjatë shtatorit, sipas afateve të përcaktuara, duhet të propozojnë 14.000 anëtarë për këshillat zgjedhorë. Përbërja e këshillave zgjedhorë do të ndryshohet, sepse mandateve të anëtarëve të mëparshëm u ka përfunduar afati.

Buxheti i përgjithshëm për mbajtjen e zgjedhjeve lokale 2025, i cili tashmë është publikuar, është 9 milionë e 760 mijë euro, prej të cilave dy të tretat janë para të dedikuara për mediat dhe për reklamimin politik të paguar. Përveç këtyre mjeteve, përfshihet edhe shuma për kompensimin e anëtarëve të këshillave zgjedhorë dhe për transportin e tyre si dhe për shpërndarjen e materialit zgjedhor nga KZQ-të drejt vendvotimeve, që sigurohen nga vetëqeverisjet lokale.

Nga momenti i shpalljes së zgjedhjeve, Ministria e Financave është e detyruar që të gjitha pagesat buxhetore, përveç pagave të rregullta, pensioneve dhe shpenzimeve komunale, t’i publikojë në mënyrë të hapur në faqen e internetit në një bazë të dhënash të veçantë për shpenzimet buxhetore gjatë periudhës zgjedhore. Dy javë pas shpalljes së zgjedhjeve, ministria duhet të dorëzojë një raport financiar parazgjedhor në të cilin do të përfshihet një pasqyrë e të gjitha të ardhurave dhe shpenzimeve të planifikuara dhe të realizuara nga Buxheti, sipas zërave, që nga fillimi i vitit fiskal deri në ditën e dorëzimit të raportit, i cili publikohet në faqen e tyre zyrtare.

Sipas Kodit Zgjedhor, zgjedhjet lokale mbahen çdo katër vjet në gjysmën e dytë të tetorit. Vetëqeverisja lokale është e organizuar në 80 komuna dhe në Qytetin e Shkupit si një njësi e veçantë e vetëqeverisjes lokale. Në përbërje të Qytetit të Shkupit funksionojnë 10 komuna, të cilat kanë kompetenca të ndara me qytetin. Zgjedhjet i shpall kryetari i Parlamentit përmes një akti që publikohet në Gazetën Zyrtare. Zgjedhjet mbahen jo më herët se 70 dhe jo më vonë se 90 ditë nga dita e shpalljes së tyre.

- Advertisement -

Megjithatë, në kampin politik shqiptarë, duket se këto zgjedhje do të jenë përtej retorikës lokale. Kjo edhe për faktin se gjatë këtij njëvjeçari, temë më e debatueshme në kampin politik shqiptarë ka qenë çështja e legjitimitetit, të cilin Fronti Evropian vlerëson se koalicioni VLEN nuk e ka për të udhëhequr me shqiptarë. Njëjtë si në zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale të vitit të kaluar, edhe këto zgjedhje lokale do të ketë dy tabore, por me disa ndryshime. Fronti Evropian, pas kyçjes edhe të ASH-së së Arben Taravarit, është shndërruar në Aleanca Kombëtare për Integrim, ndërsa në koalicionin VLEN mbeten të gjitha partitë tjera, përveç asaj të Arben Taravarit. Ky koalicion i sheh zgjedhjet e tetorit si një referendum. “Tetori është shumë më shumë se muaji i zgjedhjeve, tetori është Referendum për Nderin, Dinjitetin dhe të Ardhmen tonë! Të drejtat që u fituan me sakrificë e gjak po shiten me pazare të turpshme për kolltukë. Në emër të ‘bashkëqeverisjes’, Shqiptarët po shtypen, po përbuzën dhe po detyrohen të heshtin, por heshtja sot është bashkëfajësi nesër!  Ky nuk është më një rrezik politik, por është poshtërim Kombëtar! ‘Tetori i Referendumit’ është ora e zgjimit kombëtar!”, thuhet në një komunikatë të koalicionit në fjalë.

Nga ana tjetër, edhe VLEN-i këto zgjedhje i sheh me një rëndësi të veçantë, kjo edhe për faktin që ky koalicion zgjodhi që në zgjedhje lokale të garojë me figurat qendrore të partisë. Kështu, zëvendëskryeministri Izet Mexhiti, njëherësh kryetar i LD-së, do të garojë për të parin e Komunës së Çairit, ndërsa edhe ministri për Politikë Sociale, Fatmir Limani, do të kërkojë votat e kërçovarëve. Ashtu siç pritej, nga koalicioni VLEN në Tetovë do të garojë kreu aktual i kësaj komune, kryetari i Lëvizjes Besa, Bilall Kasami. (koha.mk)

TOP Lajmet

ETIKETUAR:
Ndani këtë artikull