Tiranë
Këshilli i Ministrave i Shqipërisë ka miratuar në mbledhjen e sotme zgjatjen e afateve të vlefshmërisë së kartave të identitetit dhe pasaportave biometrike për 500 mijë qytetarë shqiptarë që jetojnë jashtë vendit, transmeton Anadolu.
Afati i vlefshmërisë së dokumenteve të identifikimit të shtetasve shqiptarë që jetojnë jashtë vendit, që përfundon deri në datën 11 maj 2025, zgjatet deri në datën 31 maj 2025 për shtetasit që janë votues në zgjedhjet e ardhshme.
Në një reagim në rrjetet sociale nga Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, thuhet se me miratimin e këtij akti të gjithë shtetasit shqiptarë do të votojnë sipas udhëzimeve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), duke u regjistruar në Platformën Elektronike të Regjistrimit të KQZ-së.
Ndërkohë, në lidhje me këtë vendim, ministri i Brendshëm i Shqipërisë, Ervin Hoxha, deklaroi se me miratimin e këtij akti do të kenë mundësinë të gjithë shtetasit shqiptarë që jetojnë jashtë vendit për të ushtruar të drejtën e votës si një e drejtë kushtetuese.
“Kjo situatë do të zgjidhë shumë shpejt të gjithë këtë ngërçin e krijuar. Janë rreth 500 mijë shtetas shqiptarë, të cilëve u ka përfunduar vlefshmëria e kartave të identitetit”, deklaroi Hoxha.
Zgjedhjet e përgjithshme parlamentare në Shqipëri do të mbahen më 11 maj 2025 dhe në këto zgjedhje është vendosur që të votojnë edhe shtetasit shqiptarë që jetojnë jashtë vendit.