Komuna e Tetovës i ka marrë të gjitha masat dhe është e përgatitur për dimër. Kështu ka deklaruar për TVM2 zëvendëskryetari i Komunës së Tetovës, Albi Qamili.
Sipas tij, janë hapur dy tenderë: një për mirëmbajtjen dimërore të rrugëve dhe një tjetër për furnizim me kripë dhe zhavorr.
Ai nuk dha detaje se cila kompani i ka fituar këto tenderë, as sa do t’i kushtojë buxhetit të komunës mirëmbajtja e rrugëve gjatë dimrit, por theksoi se të gjitha procedurat janë publike dhe çdo qytetar i interesuar mund t’i shohë ato online.
“Një tender është për furnizim me kripë dhe zhavorr, ndërsa tjetri për pastrimin e borës, të cilin do ta fitojë një kompani që do të merret me këtë shërbim. Po ashtu, edhe ekipet e ndërmarrjes komunale janë të gatshme për çdo situatë, në rast reshjesh bore apo bllokimi të rrugëve. Të gjitha ofertat janë publike dhe qytetarët mund të shohin se çfarë ofrojnë kompanitë dhe cila do ta fitojë prokurimin publik,” – tha Zv.Kryetari i Komunës së Tetovës, Albi Qamili.
Nga ana tjetër, Qamili njoftoi se pas katër vitesh, Komuna e Tetovës do ta zbukurojë qytetin për festat e fundvitit. Ai shtoi se po vazhdojnë përgatitjet që disa oborre të shkollave në Tetovë të jenë të hapura për parking, në funksion të qytetarëve dhe mërgimtarëve.
“Kemi bërë përgatitje për ardhjen e mërgimtarëve gjatë festave të fundvitit. Ndryshe nga vitet e tjera, sivjet kemi zbukuruar edhe qytetin. Gjithashtu, si çdo vit, do të hapen edhe oborret e disa shkollave për parking, pasi të përfundojë procesi mësimor, dhe ato do të jenë në dispozicion të mërgimtarëve dhe qytetarëve të Tetovës,” deklaroi Qamili.
Përndryshe, në vitet e kaluara, mirëmbajtja e rrugëve gjatë sezonit dimëror në qytetin e Tetovës dhe fshatrat e malësisë së Sharrit i ka kushtuar buxhetit komunal mbi 120 mijë euro.

