Lideri i Alternativës, Zeqirija Ibrahimi me rastin e 7 Marsit-Ditës së Shkollës Shqipe ka uruar të gjithë arsimtar shqiptar kudo që punon e vepron.


Sipas Ibrahimit, mësuesit shqiptarë janë yjet që e ndriçojnë qiellin tonë dhe janë shenja orientimi në jetën e kombit.
“ Në Ditën e Shkollës Shqipe dëshiroj t’i drejtohem me falënderim secilit arsimtar shqiptar kudo që punon e vepron, i cili me punën e tij ndihmon në iluminimin e kombit dhe edukimin e arsimimin e brezave. Sot është dita kur duhet t’i kujtojmë edhe të gjithë ata mësues e veprimtarë të arsimit shqip, të cilët që nga Mësonjëtorja e Korçës më 1887 nuk kanë reshtur së qeni si qiriu i Naim Frashërit – duke e djegur veten për t’i ndriçuar të tjerët. Ata janë yjet që e ndriçojnë qiellin tonë dhe janë shenja orientimi në jetën e kombit. Falënderime e nderime pa fund për mësuesin shqiptar. Gëzuar 7 Marsin e Shkollës Shqipe!”, thuhet në këtë mesazh urimi.