Sot në Tiranë po zhvillohet protesta në mbështetje të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe të ish-luftëtarëve të saj që po mbahen në Hagë.
Në lidhje me këtë ngjarje, Zeqirija Ibrahimi ka shprehur përkrahjen e tij, duke theksuar se pjesëmarrja e tij është vetëm për arsye parimore dhe jo politike. Ai ka apeluar që protesta të mos përvetësohet nga parti apo figura të caktuara politike.
“Duke i dhënë mbështetje kësaj proteste, vetëm për arsye parimore, uroj që ajo të mos përvetësohet nga parti dhe figura politike, që edhe atë protestë duan ta vënë në funksion të fushatave elektorale. UÇK-ja është krenaria e të gjithë shqiptarëve dhe është përtej partive dhe politikanëve,” ka deklaruar Ibrahimi.
Protesta në kryeqytetin shqiptar po mbahet në shenjë solidariteti me ish-pjesëtarët e UÇK-së që po përballen me proceset gjyqësore në Hagë.

