Kryetari i Alternativës, Zeqirija Ibrahimi, ka reaguar ashpër pas incidenteve të fundit të dhunës ndaj nxënësve dhe kërcënimeve ndaj gazetarëve. Në një deklaratë publike, Ibrahimi dënoi aktet e dhunës të ndodhura mbrëmjen e kaluar, duke theksuar se autorët tashmë janë vënë para drejtësisë.
“E dënojmë ashpër dhunën e ushtruar mbrëmjen e kaluar ndaj nxënësve nga disa huliganë,” deklaroi ai, duke shtuar se institucionet janë të përkushtuara për të garantuar sigurinë dhe dinjitetin e çdo qytetari.
Ibrahimi gjithashtu u shpreh kundër çdo forme dhune, presioni apo linçimi ndaj gazetarëve, duke theksuar rëndësinë e një media të lirë në funksionimin e një shteti demokratik.
“Media e lirë dhe e pavarur është shtyllë thelbësore e demokracisë së çdo shteti që synon të ketë demokraci të avancuar europiane,” shtoi ai.
Në fund të deklaratës, kreu i Alternativës paralajmëroi për tendenca destabilizuese, duke nënvizuar vendosmërinë për të mos lejuar përsëritjen e skenarëve të dështuar të së kaluarës.