Koordinatori i këshilltarëve të VLEN për Qytetin e Shkupit, Zekirija Berisha, njoftoi se në Buxhetin e Qytetit për vitin 2026 janë miratuar një sërë projektesh me ndikim të drejtpërdrejtë në jetën e përditshme të qytetarëve.
Sipas Berishës, buxheti fokusohet në infrastrukturë funksionale, kulturë, arsim cilësor, mjedis më të pastër dhe siguri publike. Ndër projektet kryesore përfshihen rikonstruimi i rrugëve strategjike si Cvetan Dimov, zgjerimi i rrugës Xhon Kenedi drejt Bul. Nikola Karev, si dhe projektimi i bulevardeve Kroacia dhe Mali i Zi. Këto ndërhyrje synojnë qarkullim më të lehtë dhe ulje të kolonave.
Në plan janë edhe investime në hapësira publike dhe rekreative. Parku i Çairit, parku i Sarajit dhe ai i Gazi Babës do të rikonstruohen, ndërsa parqet në të gjithë qytetin do të mirëmbahen rregullisht. Për turizmin lokal, parashikohet rregullimi i rrugës dhe parkingut në Matkë.
Kultura dhe sporti zënë vend të veçantë. Rikthehet festivali Tingujt e Çarshisë, mbështeten klubet sportive komunale dhe përgatitet Çarshia e Vjetër në kuadër të Shkupit si Qytet i Kulturës Evropiane 2028.
Në arsim, shkollat e mesme do të pajisen me teknologji moderne dhe masa të efiçiencës energjetike. Ndërkohë, në Butel, Vizbeg dhe Shuto Orizarë parashikohet rregullimi i infrastrukturës nëntokësore për kushte më dinjitoze jetese.
Buxheti përfshin edhe sinjalizim horizontal të rrugëve, parkingje të reja, korsi për biçikleta të lidhura me BRT-në, përmirësim të transportit publik urban dhe pajisje moderne për Njësitin e Zjarrfikësve.
“Ky buxhet nuk është listë dëshirash. Është plan konkret për zhvillim të qëndrueshëm dhe përmirësim real të jetës në Shkup,” theksoi Berisha, duke shtuar se VLEN mbetet e përkushtuar ndaj interesit publik dhe nevojave reale të qytetarëve.

