Presidenti i Ukrainës, Vlodymyr Zelensky, është shprehur i bindur se marrëdhënia me homologun amerikan Donald Trump mund të shpëtohet, pas përplasjes që patën gjatë takimit në Zyrën Ovale të premten.
Në atë që pritej të ishte takim miqësor i Zelenskyt me Trumpin dhe zëvendëspresidentin JD Vance, ndodhi e papritura kur shpërtheu përplasje e zhurmshme që u pa drejtpërdrejt nga e gjithë bota. Presidenti ukrainas udhëtoi në Uashington për t’u takuar me Trumpin pasi presidenti amerikan u shpreh se negociatat për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë janë në fazën përfundimtare. Por takimi nuk shkoi siç duhet dhe përfundoi para kohe.
Gjatë një interviste për “Fox News”, Zelensky u pyet se pas asaj që ndodhi në Shtëpinë e Bardhë, a mund të shpëtohet marrëdhënia e tij me Trumpin.
“Po, sigurisht, sepse janë marrëdhënie më shumë se dy presidentë. Janë marrëdhëniet historike, marrëdhëniet e forta midis popullit tonë, dhe kjo është arsyeja pse unë gjithmonë falënderoj njerëzit tuaj në emër të popullit tonë”, ka thënë Zelensky.
“Sigurisht, falënderues për presidentin, dhe, natyrisht, për Kongresin, por para së gjithash, për popullin tuaj. Njerëzit tuaj ndihmuan në shpëtimin e popullit tonë… ne duam shumë që t’i kemi këto marrëdhënie të forta”, shtoi ai.
Zelensky nuk ishte i sigurt nëse pati “diçka të keqe” kur u pyet për përplasjen në Zyrën Ovale, por pranoi se ajo që ndodhi “ishte e keqe për të dyja palët”.
“Unë thjesht dua të jem i sinqertë dhe vetëm dua që partnerët tanë ta kuptojnë situatën saktë dhe unë dua të kuptoj gjithçka saktë. Kjo është për ne që të mos humbasim miqësinë tonë”, deklaroi tutje ai.