Visar Ymeri ka shprehur shqetësimin e tij rreth zhvillimeve të fundit politike, duke paralajmëruar mundësinë e një krize institucionale nëse nuk konstituohet Kuvendi më 15 prill, datë që sipas tij duhet të ishte momenti i funksionalizimit të institucioneve pas zgjedhjeve.
“15 prilli do të duhej të ishte data kur konstituohet Kuvendi. Unë shpresoj dhe i bëj ftesë të gjithë deputetëve që ta tejkalojnë këtë”, deklaroi Ymeri në “VV Show”.
Ai kritikoi qasjen e Lëvizjes Vetëvendosje, duke e cilësuar jo demokratike.
Sipas Ymerit, deklarata e Glauk Konjufcës që sugjeronte se nëse nuk ka Kuvend që voton qeverinë, atëherë s’ka as arsye për konstituim të tij është një sinjal i qartë i bllokimit të procesit politik.
“Po e përafrazoj. Kjo është qasje shumë problematike. Ai po paralajmëron bllokim. Ti kur nuk i ke numrat duhet me lëshu rrugë, le të provon dikush tjetër”, shtoi ai.
Ymeri e cilësoi këtë qasje si një cënim të drejtpërdrejtë ndaj demokracisë dhe funksionimit institucional të vendit.
“Ky cënim i demokracisë që i bëhet institucioneve është një hap më larg interesave të Kosovës”, përfundoi ai.