Vuçiq: Është e qartë se po krijohen aleanca ushtarake kundër Serbisë, heshtja e NATO-s dhe BE-së është shqetësuese

4 Min. Leximi

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, duke komentuar deklaratën për bashkëpunim ushtarak mes Sllovenisë dhe Kroacisë, si dhe marrëveshjen e mëparshme të nënshkruar nga Kosova, Shqipëria dhe Kroacia, pretendoi se aleancat e krijuara janë kundër Serbisë, transmeton Anadolu.

Presidenti serb po ashtu shprehu shqetësim për heshtjen e BE-së dhe NATO-s, duke nënvizuar se do të përpiqet ta diskutojë këtë çështje me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte.

- Advertisement -

“Kjo nuk është një çështje e lehtë për ne. Ne kemi përvoja shumë negative nga vitet 90, kur të njëjtat grupe u bashkuan kundër serbëve dhe Serbisë. Për fat të keq, ata ishin më të suksesshëm dhe më të fortë – jo për shkak të forcës apo mençurisë së tyre, por për shkak të mbështetjes më të madhe nga jashtë. Ata ishin më dinakë dhe në fund fituan, sepse për ta fitorja nënkuptonte dëbimin e serbëve nga shtëpitë e tyre shekullore në Krajinë, Kosovë dhe një pjesë e madhe e Bosnjë e Hercegovinës—ndonëse në disa vende ishte e kundërta, me dëbimin e boshnjakëve. Por kur e shikon të gjithën, është e qartë se dikush po përgatit diçka”, tha Vuçiç për një televizion vendor.

- Advertisement -

“Kur formon një aleancë ushtarake me Kroacinë, është e qartë kundër kujt është drejtuar. Nuk është kundër Austrisë, një vendi gjoja neutral – është kundër Serbisë”, paralajmëroi ai.

Vuçiq theksoi se Serbia duhet të forcojë kapacitetet e saj ushtarake, por edhe pozitën politike në botë.

“Kjo është drejtpërdrejt kundër popullit serb dhe Serbisë, dhe ne duhet ta marrim parasysh. Duhet të forcojmë pozitën tonë dhe të sigurohemi që ushtria jonë të jetë e fuqishme”, tha ai.

“Ne duam ta forcojmë ushtrinë tonë. Njerëzit duhet ta dinë që jemi gati të mbrojmë vendin nëse sulmohemi në ndonjë mënyrë. Megjithatë, ne nuk duam konflikte apo luftëra, as që na shkon ndër mend të sulmojmë ndonjë. Është e qartë që disa po krijojnë aleanca kundër nesh. Heshtja e BE-së dhe NATO-s është shqetësuese. Do të përpiqem të bisedoj me Mark Rutten”, shtoi Vuçiq.

I pyetur nëse dikush po përpiqet të krijojë një vatër të re tensionesh në Kosovë ose në Republikën Sërpska të Bosnjës, Vuçiq u përgjigj se ka marrë informacion se gjatë një takimi të delegatëve në Beograd – “ndërsa protestuesit sulmonin policinë në Novi Sad” – është miratuar një udhëzim, “si të vinte drejtpërdrejt nga (kryeministri i Kosovës) Albin Kurti, që të organizohen demonstrata më 19 shtator kundër Zyrës për Kosovën.

“Dhe tani, sikur vetë Kurti të kishte urdhëruar çfarë të bënin, ata do të demonstrojnë kundër Zyrës për Kosovën. A mendoni me të vërtetë që është rastësi?”, pyeti presidenti serb.

Lidhur me Republikën Sërpska, Vuçiq tha se bota është mirë e informuar për atë që ka ndodhur me Milorad Dodikun, liderin serb të cilit autoritetet gjyqësore të BeH-së i kanë ndaluar ushtrimin e detyrës si president i RS-së, duke i quajtur vendimet kundër tij në kundërshtim me parimet bazë demokratike, legjitimitetin dhe ligjshmërinë.

“Por kjo është epoka ku jetojmë. Ata që më shpesh flasin për sundimin e ligjit dhe demokracinë janë pikërisht ata që kujdesen më pak për të, të udhëhequr vetëm nga interesat e tyre politike”, përfundoi Vuçiq.

Ndryshe, Kroacia dhe Sllovenia nënshkruan të premten një deklaratë mbi bashkëpunimin ushtarak, të cilën ministri kroat i Mbrojtjes, Ivan Anushiq, e përshkroi si një “kapitull të ri” në marrëdhëniet tashmë të forta të mbrojtjes midis dy shteteve fqinje.

Më herët, më 18 mars, një marrëveshje për bashkëpunim në fushën e mbrojtjes ishte nënshkruar nga Shqipëria, Kosova dhe Kroacia.

TOP Lajmet

Ndani këtë artikull