Votuesit tajvanezë zgjodhën si president kandidatin e Partisë Demokratike Progresive, Lai Ching-te të shtunën, një sinjal i qartë ndaj Kinës që kishte bërë presion për të mos e votuar atë. Duke iu drejtuar mbështetësve pasi dy kundërshtarët e tij pranuan humbjen, presidenti i zgjedhur i Tajvanit, Lai Ching-te u zotua se do të qëndrojë “në anën e demokracisë” dhe të mbrojë ishullin e vetëqeverisur nga “frikësimet” e Kinës. Fushata për këto zgjedhje nuk ishte e përqëndruar vetëm tek Kina por edhe tek çështjet e brendshme si kostoja e lartë e banesave, pagat e ulëta dhe furnizimet e paqendrueshme me energji elektrike.
Votuesit në Tajvan zgjodhën si president kandidatin e Partisë Demokratike Progresive, Lai Ching-te, në zgjedhjet e së shtunës, duke refuzuar qartazi paralajmërimet e Kinës për të mos e votuar atë, ndërsa këto zgjedhje Pekini i ka cilësuar si “zgjedhje mes luftës dhe paqes”.
Duke iu drejtuar mbështetësve pasi dy kundërshtarët e tij pranuan humbjen, presidenti i zgjedhur i Tajvanit, Lai Ching-te u zotua se do të qëndrojë “në anën e demokracisë” dhe të mbrojë ishullin e vetëqeverisur nga “frikësimet” nga Kina, e cila e ka cilësuar atë si një kërcënim për paqen.
Ai tha se banorët e Tajvanit me votën e tyre shkruan një “kapitulli të ri në demokracinë e ishullit”.
“Ne po i themi komunitetit ndërkombëtar se midis demokracisë dhe autoritarizmit, ne do të qëndrojmë në anën e demokracisë,” tha ai, duke theksuar se është i hapur të komunikojë me Kinën. Por zoti Lai Ching-te u zotua “të mbrojë Tajvanin nga kërcënimet dhe frikësimet e vazhdueshme nga Kina”.
Ndër të tjera ai tha se ishulli i kishte “rezistuar me sukses përpjekjeve të forcave të jashtme për të ndikuar në këto zgjedhje”.
Në një reagim, Zyra e Çështjeve të Tajvanit e Kinës tha se fitorja e Lai Ching-te në zgjedhjet e së shtunës nuk do të ndryshonte peisazhin bazë të marrëdhënieve të ngushta. Në një deklaratë për agjencinë shtetërore kineze të lajmeve Xinhua, Chen Binhua, një zëdhënës i kësaj zyre që përfaqëson Pekinin tha se rezultatet treguan se Partia Demokratike Progresive nuk mund të përfaqësojë opinionin publik në ishull.
Tajvani dhe Kina u ndanë në vitin 1949 pas një lufte civile. Ishulli i vetëqeverisur nuk ka qenë kurrë pjesë e Republikës Popullore të Kinës, por Pekini e sheh atë si një provincë të shkëputur, e ka deklaruar se do ta rimarrë me forcë, nëse do të jetë e nevojshme.
Kina e konsideron Tajvanin e qeverisur në mënyrë demokratike si pjesë të territorit të saj dhe ka rritur presionin ushtarak në vitet e fundit në përpjekje për të detyruar ishullin të pranojë sovranitetin kinez.
Shtetet e Bashkuara ndjekin politikën e një Kine të vetme, dhe nuk e njohin zyrtarisht pavarësinë e Tajvanit dhe nuk kanë marrëdhënie diplomatike me ishullin.
Megjithatë, ligji amerikan kërkon një mbrojtje të besueshme për Tajvanin dhe që Uashingtoni t’i trajtojë si çështje të rëndësisë së lartë të gjitha kërcënimet ndaj ishullit.
Fushata për këto zgjedhje nuk ishte e përqëndruar vetëm tek Kina por edhe tek çështjet e brendshme si kostoja e lartë e banesave, pagat e ulëta dhe furnizimet e paqëndrueshme me energji elektrike.
Zoti Lai, i cili njihet edhe me emrin William, fitoi 40% të votave, ndryshe nga presidentja aktuale, e cila u rizgjodh me shumicë katër vjet më parë, me më shumë se 50% të votave.
Partia e tij humbi kontrollin mbi parlamentin, gjë që mund të pengojë aftësinë e tij për të miratuar ligje. Megjithatë zoti Lai iu shtriu dorën e bashkëpunimit kundërshtarëve të tij duke thënë se do të ulej dhe të diskutonte me ta.