Përmes një komunikate zyrtare, partia VMRO-DPMNE ka hedhur akuza të rënda ndaj ish-udhëheqjes së qeverisë së LSDM-së, duke pretenduar se periudha e qeverisjes së Zoran Zaevit ka qenë e lidhur ngushtë me biznesmenin kontrovers pro-rus, Miodrag Davidoviq – Daka.
Sipas opozitës, këto lidhje korruptive janë bërë publike që në vitin 2020 përmes audio-incizimeve (përgjimeve), ku biznesmeni Daka dëgjohet duke biseduar me partnerin e dyshimtë të Zaevit, Zoran Mileski – Kiçeec. Në këto biseda, Daka pohon se i ka dhënë Zaevit një shumë prej 300 mijë eurosh dhe 2.000 metra katrorë tokë, si pjesë e një marrëveshjeje për shërbime biznesi.
Akuzat për inxhiniering zgjedhor dhe përfshirjen e zyrtarëve
Në njoftimin e VMRO-DPMNE-së theksohet se paratë e dhëna nga biznesmeni pro-rus dyshohet se janë përdorur nga Zaev për të realizuar inxhiniering zgjedhor gjatë referendumit për emrin.
“Ajo që mbetet shqetësuese është se as Zaev dhe as LSDM nuk i kanë mohuar asnjëherë këto regjistrime, gjë që konfirmon vërtetësinë dhe autenticitetin e tyre,” thuhet në komunikatë. Përveç Zaevit, në këto biseda përmendet edhe emri i ish-Sekretarit të Përgjithshëm të Qeverisë, Dragi Rashkovski, duke implikuar kështu të gjithë kupolën e atëhershme të pushtetit.
VMRO-DPMNE gjithashtu ngre dyshime se pushteti i atëhershëm ka ndërhyrë në ndryshimin e Planeve Urbanistike Detaje (DUP) në një qytet të Maqedonisë Perëndimore, me qëllim që t’i hapet rrugë bizneseve të Dakës. Për këtë rast, partia ka paralajmëruar detaje shtesë në konferencën e sotme për shtyp.
Në mbyllje të reagimit, opozita kritikon udhëheqjen aktuale të LSDM-së nën drejtimin e Venko Filipçes, duke thënë se heshtja e tyre vërteton se: “Aty ku ka krim dhe korrupsion, aty janë LSDM, Zaev dhe Filipçe.”

