VLEN: Të vendosur për ta çmontuar kulturën e pandëshkueshmërisë

1 Min. Leximi

Me rastin e Ditës Ndërkombëtare Kundër Korrupsionit, VLEN kujton se kjo nuk është një ditë formale për deklarata boshe, por një alarm i fortë për një sëmundje që ka gërryer themelet e shtetit për vite me radhë.

Korrupsioni nuk është thjesht shkelje ligjore, është tradhti ndaj qytetarëve, vjedhje e së ardhmes dhe shkatërrim i besimit publik. Ai nuk luftohet me fjalë, as me dokumente për sy e faqe. Luftohet me vendime të guximshme, me njerëz të pastër dhe me refuzim të kompromisit me të keqen, dhe këtë po e bëjmë.

Shteti nuk pastrohet me deklarata, por me karakter. Institucionet nuk ndërtohen me propagandë, por me integritet. Dhe drejtësia nuk është luks, është detyrim. VLEN është e vendosur ta çmontojë kulturën e pandëshkueshmërisë dhe të ndërtojë një shtet ku pushteti nuk është privilegj por përgjegjësi.
Në këtë betejë, indiferenca është bashkëpunim me korrupsionin. Heshtja është mbështetje për padrejtësinë. Sot nuk mjafton ta dënojmë korrupsionin, duhet ta shkulim nga rrënjët.

VLEN mbetet e palëkundur: zero tolerancë ndaj korrupsionit, zero kompromis me krimin, zero frikë nga e vërteta.

TOP Lajmet

Ndani këtë artikull