Pas publikimit të lajmit nga TV21 për takimin e kreut të BDI-së, Ali Ahmeti me kryetarin e Strugës, Ramiz Merko ku siç mësoi TV21 në takim është biseduar edhe për zgjedhjet lokale që do të mbahen në vjeshtë. E për këtë ka reaguar koalicioni VLEN. Nga VLEN theksojnë se struganët nuk do të lejojnë që një non-grata i listave të zeza të jetë përcaktues se kush do të udhëheq me Komunën e Strugës. Shtojnë se koalicioni VLEN ka emra më të mirë për kreun e Strugës, sepse siç shtojnë struganët meritojnë më mirë.
Ndër të tjera, nga koalicioni VLEN nëpërmjet komunkatës lëshuar mediave i kanë dërguar porosi edhe kryetarit të ASH-së, Ziadin Selës, ku theksojnë se Sela bashkë me Ahmetin duhet të qëndrojnë në opozitë dhe të reformohen.
Kumtesa e plotë e koalicionit VLEN.
“Ramiz Merko i listave të zeza është shndërruar në çelësin e fatit të struganëve. Por shqiptarët dhe struganët nuk do të lejojnë që një non-grata i listave të zeza të jetë përcaktues se kush do të udhëheq me komunën e Strugës.
Zijadin Sela bashkë me shefin e tij Ali Ahmeti, duhet ta kuptojnë mesazhin e qytetarëve që ata duhet të qëndrojnë në opozitë dhe të reformohen. Populli e ka dhënë fjalën në ditën e zgjedhjeve dhe ata i besojnë koalicionit VLEN.
Mund të takohen çdo ditë me non-grata dhe njerëz tjerë të zhytur në krim dhe korrupsion por nuk mund t’i bindin qytetarët se ata janë zgjidhja më e mirë. Koalicioni VLEN, ka emra më të mirë për kreun e Strugës pasi mendon që struganët dhe Struga meritojnë më mirë dhe më shumë se një person që është në listën e zezë dhe i përlyer me baltën e krimit dhe korrupsionit. Zëri i shqiptarëve dhe mburoja tani më është koalicioni VLEN.
BDI non grata bashkë me patericat tjera të ashtuquajtur Fronti Evropian, i takojnë historisë dhe duhet të reformohen për të dalë në zgjedhje lokale. Avazi i vjetër i shantazhit dhe futjes së frikës te qytetarët i takon të kaluarës. Tani shqiptarët kanë një gardian. Struganët dinë të gjykojnë dhe do t’i japin shqelmin e fundit atyre që nëpërkëmbën nderin e tyre. Ky takim dëshmon se në momentin që Sela nuk është më i dobishëm për Ahmetin, ai thjesht është anashkaluar dhe përçmuar.
Fakti që Ramiz Merko, një figurë e diskredituar ndërkombëtarisht, dikton se kush do të jetë kandidati për kryetar të Strugës, tregon se Ahmeti ka zgjedhur ta dëgjojë atë, e jo Selën, që teorikisht duhej të ishte një zë i rëndësishëm në këtë process, por ja që po dëshmohen ajo që gjithmonë kemi theksuar se Sela është patericë e Ahmetit e asgjë më shumë. Realiteti është i thjeshtë:
Ali Ahmeti e përdori Selën si vegël për të krijuar një fasadë të një bashkëpunimi mes shqiptarëve, por tani që zgjedhjet lokale afrohen dhe loja e vërtetë e oipozitës luhet, Sela nuk ka më asnjë peshë. Ai është një figurë politike e konsumuar, që u shit si lider opozitar por në fund doli të jetë vetëm një mbështetje e përkohshme për Ahmetin, që tani e ka flakur pa asnjë hezitim”.