VLEN: SPAK-u i BDI-së le të kërkojë nga SPAK-u i Shqipërisë ekstradimin e Artan Grubit

2 Min. Leximi

Koalicioni VLEN ka reaguar ashpër ndaj nismës së BDI-së në Çair për formimin e një “SPAK-u lokal”, duke e cilësuar atë si një përpjekje propagandistike dhe jo si një mekanizëm real për luftimin e korrupsionit.

Nga VLEN thonë se nëse kjo strukturë synon vërtet transparencë dhe përgjegjësi, atëherë hetimet duhet të nisin nga vetë drejtuesit e BDI-së, për të dëshmuar se nuk bëhet fjalë për një spektakël politik, por për një proces serioz dhe të paanshëm ndaj çdo zyrtari, pa përjashtim.

Reagimi i plotë:

BDI në Çair shpall me bujë formimin e një “SPAK-u lokal”, sikur të kishte zbuluar “Amerikën”. Por pyetja që lind menjëherë është: a do ta kapë ky SPAK edhe kryesinë e vet? Apo është vetëm një teatër i radhës për të mashtruar qytetarët?

Sepse korrupsioni nuk është thjesht ndërtim pa leje apo tender komunal. Ai ka fytyra të njohura: Faton Ahmeti, për dyshimet e keqpërdorimit të fondeve në FSSH, Arber Ademi, si ministër i Arsimit me lëndë të hapura për abuzime, Bujar Osmani, për rastin famëkeq “Pacienti”, dhe shumë të tjerë që sot ulen në kryesinë e BDI-së si të paprekshëm.

VLEN e përshëndet këtë “SPAK” të BDI-së dhe i sugjeron që, nëse vërtet është për veprim dhe jo për spektakël, të fillojë hetimet pikërisht nga këta emra. Punën e parë që duhet ta bëjë është të vendosë komunikim me SPAK-un e Shqipërisë dhe të kërkojë ekstradimin e Artan Grubit, simbol i arrogancës dhe abuzimit të pushtetit.

Nëse ky SPAK është serioz, le të provojë të hetojë të paprekshmit e vet. Vetëm atëherë qytetarët do ta besojnë se transparenca nuk është fasadë, por realitet. Deri atëherë, kjo mbetet një shfaqje tallëse, një “SPAK për Facebook” dhe jo për drejtësi

TOP Lajmet

ETIKETUAR:
Ndani këtë artikull