VLEN: Siguruam rroga për Inspektoratin e Gjuhëve dhe hapëm rrugë për kompetenca të reja

1 Min. Leximi

VLEN njofton se në Kuvend janë miratuar ndryshimet e Ligjit për Inspektoratin, përkatësisht të Ligjit për Administratën Shtetërore, me çka hapet rruga për zgjidhjen e çështjes së kompensimit financiar për punonjësit e Inspektoratit të Gjuhëve.

Nga VLEN thonë se kjo është një çështje që për vite me radhë është zvarritur dhe lënë në harresë nga qeveritë e mëparshme, ndërsa tashmë, falë angazhimit të VLEN dhe vullnetit politik të shumicës parlamentare, po merr drejtim të qartë dhe zgjidhje të merituar.

- Advertisement -

“Pas stabilizimit të kësaj situate, VLEN do të nisë menjëherë procedurat për ngritjen e Agjencisë për Zbatimin e Gjuhëve në një nivel më të lartë institucional, me qëllim që më pas edhe Inspektorati i Gjuhëve t’i bashkëngjitet këtij institucioni të rëndësishëm.
Ndryshimet e miratuara, përveçse mundësojnë funksionalizimin financiar të Inspektoratit, përfshijnë edhe një marrëveshje politike të rëndësishme që i jep Inspektoratit të Gjuhëve të drejtën për shqiptimin e gjobave, një kompetencë kyçe për rritjen e efikasitetit dhe zbatimin konkret të Ligjit për përdorimin e gjuhëve”.

“VLEN do të vazhdojë të angazhohet me përkushtim për avancimin e pozitës së gjuhës shqipe dhe për garantimin e të drejtave të barabarta gjuhësore për të gjithë qytetarët”, thonë nga VLEN.

TOP Lajmet

Ndani këtë artikull