Ligji për ish ushtarët e UÇK-së që parasheh kompenzimin e dëmeve të gjithë atyre që janë përfshirë në luftën e vitit 2001, sipas deputetit Rijad Shaqiri nga koalicioni VLEN, është në fazën e përgatitjes. Nga Fronti Europian, respektivisht nga Bashkimi Demokratik për Integrim thonë se ende askush nuk ju ka ofruar diçka konkrete, qoftë edhe si ide, për të qenë palë në konsultimet për ligjin, shkruan Portalb.mk.
Deputeti i VLEN, Rijad Shaqiri, kuadër i ASH- krahu i Arben Taravarit, në një prononcim për Portalb, konfirmoi se është duke e përpunuar ligjin për ish ushtarët e UÇK-së.
“Jam duke e përpunuar bashkë me deputetët e VLEN-it. Askush prej subjekteve tjera nuk ka shfaqur interes, as nga Fronti Europian. Ju kam bërë thirrje të hapur që të kyçen. Faktikisht ato e kanë pas mundësinë edhe më herët, kanë qenë 22 vite në pushtet. Kanë pasur mundësi të përpilojnë një ligj të këtill.
Pavarësisht rrethanave, unë kam bërë një thirrje kolegiale. Mendoj që secili duhet të jep kontributin e vet, sepse është pjesa më e çmueshme e njerëzve tanë që kanë qenë pjesëmarrës në UCK dhe familjeve të cilët kanë qenë të dëmtuara nga procesi i luftës”, tha deputeti Shaqiri për Portalb.mk.
Shaqiri tutje ka zbuluar se çka do të përmbajë ligji: “Ligji ngërthen në vete kompenzim të dëmeve të shkaktuara nga lufta, edhe për ish ushtarët e UCK-së parasheh të drejtat sikur i kanë përfaqësuesit e forcave mbrojtëse të Maqedonisë”.
Shaqiri nuk ka precizuar afat se kur zgjidhja ligjore për ish ushtarët e UÇK-së mund ta sheh dritën, por siguron se sapo të jetë gati do të bëhet publike për opinionin.
Nga ana tjetër, deputeti i Frontit Europian, Talat Xhaferi, kuadër i BDI-së, për Portalb tha se për t’u përfshirë edhe subjekte tjera në përgatitjen e ligjit, fillimisht, duhet parë drafti.
“Për t’u përfshirë edhe palë tjera le të japin draftin. A kemi diçka për të cilën duhet të japim koment? Parimisht, nëse ka ide a draft si e mendojnë, atë ide duhet ta ndajnë dhe të shohim çka kemi. Nuk është problem për t’u shqyrtuar një draft. Për t’u kyç dikush, për t’u bë bashkëveprues duhet të ketë pikënisje”, tha për Portalb.mk deputeti Xhaferi.
Ndryshe, deputeti Shaqiri tha se, paraprakisht nuk ka marrëveshje politike në mes VLEN dhe VMRO-DPMNE-së rreth ligjit në fjalë. Ai tha se pret momentin kur të vendoset Ligji për “Branitellat”, VLEN të propozojë edhe Ligjin për ish ushtarët e UÇK-së.
Kujtojmë se, për momentin Komisioni për Politikë Sociale, Demografi dhe Rini në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut nuk është funksional, për shkak dorëheqjes së deputetet së Frontit Europian, Ilire Dauti, ndaj së cilës u votua interpelancë, për shkak bllokimit të seancave ku tentohej të vendosej në rend dite Ligji për “Branitellat”.
Interpelanca ndaj deputetes Ilire Dauti kishte shkaktuar debat të madh te partitë politike në vend.
Kompenzimi i dëmeve të pjesëmarrësve në konfliktin e armatosur më vitin 2001, në Republikën e Maqedonisë së Veriut ka qenë shpesh e pranueshme në retorikën e politikanëve shqiptarë, por e njëjta nuk ka gjetur deri më sot zgjidhje ligjore shkaku i rezistencës së palës maqedonase. Bashkë me Bashkimin Demokratik për Integrim, brenda dy dekadave të fundit në qeveri kanë perfomuar pothuajse të gjitha subjektet politike shqiptare në Maqedoninë e Veriut, por kjo çështje nuk i ka parë ende kornizat ligjore.