Sot u inaugurua sistemi “One Stop Shop” edhe në vendkalimin kufitar Jazhincë-Glloboçicë, duke ndjekur shembullin e suksesshëm të vendkalimit Bllacë, ku ky model u vu në funksion më 12 prill. Ky sistem i avancuar bashkon kontrollet kufitare të dy vendeve në një pikë të vetme, duke lehtësuar ndjeshëm qarkullimin e njerëzve dhe mallrave, si dhe duke reduktuar në mënyrë të konsiderueshme kohën e pritjes në kufi.
Përvoja e deritanishme në Bllacë ka dhënë rezultate të menjëhershme dhe të prekshme: kalimi kufitar është përshpejtuar ndjeshëm, nga pritje shumëorëshe në vetëm disa minuta. Me zbatimin e këtij modeli edhe në Jazhincë, pritet një rritje e fluksit kufitar dhe një thellim i mëtejmë i bashkëpunimit ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut.
Sistemi “One Stop Shop” nuk është vetëm një zgjidhje efikase për menaxhimin e kufijve, por një hap konkret drejt një Ballkani të integruar dhe funksional. Ky sistem forcon marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë, krijon kushte më të mira për zhvillim ekonomik dhe rajonal, dhe është dëshmi e qartë e vullnetit tonë për të ndërtuar ura bashkëpunimi në vend të barrierave.
VLEN mbetet e përkushtuar në realizimin e vizionit për një rajon të hapur, të lidhur dhe të zhvilluar, ku qytetarët dhe bizneset lëvizin lirshëm dhe pa pengesa. Iniciativa të tilla janë dëshmi se kur ekziston vullneti dhe bashkëpunimi, rezultatet janë të menjëhershme dhe në dobi të qytetarëve tanë.
VLEN: “One Stop Shop” tashmë edhe në vendkalimin kufitar Jazhincë-Glloboçicë, një hap konkret drejt një Ballkani të integruar

Ndani këtë artikull