Politika joparimore e dy karrigeve, e qëndrimeve të mjegullta ku nuk dihet kush është partner, kush është aleat e kush është kundërshtar – ka marrë fund! Ajo erë ka perënduar bashkë me ata që mendonin se mund të mashtrojnë një popull të tërë me lojëra fjalësh dhe lojëra pushteti.
Politika nuk është gjah e as peshkim. Por ka parime dhe vizion në veprim. Kush nuk i ka këto virtyte vështirë e ka të vazhdojë në VLEN. Prandaj, ata që u larguan e bënë sepse VLEN-in e kishin trampolinë për të kërcyer në prehrin e Ahmetit. Duke tentu ta rrisin pazarin rritën turpin dhe dështimin, demaskuan hipokrizinë e djallëzinë e tyre.
VLEN nuk do të lejojë që brenda kësaj qeverie të rikthehet, qoftë edhe përmes derës së pasme, BDI-ja. As përmes vjegëzave të saj, e as përmes atyre që janë zënë keq në rrjetin e Oligarkisë së Krimit dhe Korrupsionit. Partneriteti me VLEN nuk është strehë për ata që mbulojnë lidhjet me krimin me patriotizëm të rrejshëm dhe viktimizim të sajuar.
Çdokush që mendon se mund të bëhet “shpëtimtar i politikës së Soravisë” duke bërë fushatë me retorikë boshe, e në anën tjetër fsheh lidhjet me korrupsionin dhe me personazhe që kanë përfunduar në listat e zeza amerikane, le ta dijë: më parë do të përmbytet sesa të shpëtojë diçka!
VLEN është përcaktuar për politikë të pastër, për luftë pa kompromis ndaj krimit dhe korrupsionit, për reforma të thella në drejtësi dhe për jetë të ndershme e dinjitoze për qytetarët tanë. Me BDI-në dhe me veglat e saj në pushtet, nuk ka Qeveri të VLEN-it. Edhe BDI, edhe Qeveri – nuk ka dhe nuk do të ketë.
Hipokritët dhe hajnat përpos që fillojnë me shkronjën e njëjtë do përfundojnë si hedhurina. Populli sheh, populli dinë dhe do të ndëshkojë!