VLEN: Nisma për kontestimin e dygjuhësisë është tentim për grusht shteti

3 Min. Leximi

VLEN ka reaguar në lidhje iniciativën në Gjykatën Kushtetuese për vlerësimin e Ligjit për përdorimin e gjuhëve. Nga VLEN thonë se “duke pasur parasysh faktin se iniciativa vjen nga një parti anti-NATO që glorifikon regjimin komunist të Enver Hoxhës, më e pakta që presim është që kjo të refuzohet me konstatimin se është një përpjekje për grusht shteti. Kjo veçanërisht për faktin se bëhet fjalë për kontestimin e procesit të hyrjes në fuqi të Ligjit për përdorimin e gjuhëve, pa u thelluar në përmbajtjen e tij”.

Nga VLEN gjithashtu thonë se “nëse një iniciativë e tillë eventualisht pranohet, atëherë hapet Kutia e Pandorës edhe për ndryshimin e emrit kushtetues, i cili gjithashtu u krye pa nënshkrimin e presidentit të atëhershëm të Republikës, Gjorge Ivanov”.

- Advertisement -

“Ne nuk besojmë se Gjykata Kushtetuese duhet të kontribuojë në ndonjë rishikim të mundshëm të anëtarësimit tonë të plotë në aleancën më të fuqishme ushtarako-politike, Aleancën e NATO-s. Qëndrimi ynë për balancerin është i qartë dhe është shprehur disa herë. Ky mekanizëm u bë objekt keqpërdorimi kur maqedonasit u deklaruan si shqiptarë për t’u punësuar në administratën shtetërore. Prandaj, mendojmë se është e nevojshme të miratohet Ligji për përfaqësim të drejtë”.

“Sa i përket moralistëve të rremë të opozitës shqiptare, të cilët në çdo kthesë kërkojnë arsye për të krijuar tensione ndëretnike me qëllimin e vetëm për të shpëtuar krimin familjar të Ali Ahmetit, u themi që t’i përgjigjen popullit shqiptar: Çfarë bëtë pesë vite nga viti 2019 deri në vitin 2024 dhe pse nuk e hodhën poshtë mundësinë që Gjykata Kushtetuese të rishikojë përdorimin e gjuhës shqipe si gjuhë zyrtare?”.

“Iniciativa e “Levicës” në Gjykatën Kushtetuese është dorëzuar në vitin 2019, kur BDI ishte në pushtet. Në atë kohë për kryetar të Gjykatës Kushtetuese ishte zgjedhur Sali Murati, i cili sot është deputet nga radhët e të ashtuquajturit “Front Evropian”.

“Në vitet 2009 dhe 2014, ekipi i Ali Ahmetit, me urdhër të Nikolla Gruevskit dhe Sasho Mijallkovit, zgjodhën Gjorge Ivanovin për president të Republikës. Në vitin 2024, ata turpshëm nuk e mbështetën kandidaturën presidenciale të Arben Taravarit dhe kështu penguan shqiptarët që për herë të parë në histori të kenë shansin për fitore në raundin e dytë”.

- Advertisement -

“Kjo është një dëshmi e drejtpërdrejtë e hipokrizisë së BDI-së, të cilët në çdo hap lënë kurthe të fshehta për interesat e shqiptarëve. Është koha e fundit që të ndalojnë nënvlerësimin e inteligjencës së popullit shqiptar dhe të pranojnë përgjegjësinë për politikat e tyre të gabuara, të papërgjegjshme dhe kriminale”, thonë nga VLEN.

TOP Lajmet

ETIKETUAR:
Ndani këtë artikull