Në kuadër të marrëveshjes për ndarjen e institucioneve mes partnerëve të koalicionit qeveritar, është vendosur që koalicioni VLEN të marrë drejtimin e Qendrës për Menaxhim me Kriza (QMK), një institucion kyç në menaxhimin e situatave emergjente dhe krizave në vend.
Deri më tani, VLEN ka menaxhuar Drejtorinë për Mbrojtje dhe Shpëtim, por me riorganizimin e brendshëm, ky institucion do t’i kalojë një partneri tjetër të Qeverisë, ndërsa koalicioni VLEN do të marrë përgjegjësinë për QMK-në.
Ky ndryshim nuk nënkupton shuarjen apo mbylljen e Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, ajo do të vazhdojë të funksionojë, por nën menaxhimin e një strukture tjetër brenda qeverisë.
Kalimi i Qendrës për Menaxhim me Kriza te koalicioni VLEN shihet si një hap i rëndësishëm për fuqizimin e rolit të këtij koalicioni në sistemin e sigurisë civile dhe koordinimit institucional gjatë krizave natyrore apo të shkaktuara nga faktorë të tjerë.