VLEN mbajti sonte tubimin madhështor në stadiumin e Çairit. Para mijëra të pranishmëve të tubuar, u përçua mesazhi i fuqishëm me Një Zë se koha e lojërave me shkupjanët ka marrë fund.

Çairi foli qartë dhe zëshëm, duke ia dhënë besën Izet Mexhitit që t’i prijë në fitoren e 19 tetorit.
Biri i Çairit, Izet Mexhiti, njeh çdo rrugë, çdo lagje dhe çdo qoshe të Shkupit. Ai i njeh hallet e çairasve, por edhe forcën e tyre për të ndërtuar më shumë e më mirë. Para mijëra njerëzve, ai u betua se Çairin do ta udhëheqë me zemër, me ndershmëri dhe me dashuri, duke theksuar se kjo garë tejkalon dimensionin lokal, nuk është garë me Bujar Osmanin, por me Ali Ahmetin e Zajazit.

Zgjerimi i bulevardit “Cvetan Dimov”, parkingu nëntokësor në sheshin “Skënderbeu” dhe kampusi universitar “Nëna Terezë” janë disa nga projektet që do të kapin vlerën prej 100 milionë eurosh, dëshmi se Çairi me Izet Mexhitin nuk flet, por punon.
Krahas tij, Muhamed Murtezi, bartësi i listës, është zëri i brezit të ri që beson në punë të ndershme dhe në fjalë të mbajtur. I rritur në mesin e çairasve, ai e di se nderi dhe ndershmëria vlejnë më shumë se çdo premtim. Me njerëz si ai, Çairi nuk udhëhiqet, por frymëzohet.
Më 19 tetor, Çairi do të flasë me Një Zë për Izet Mexhitin dhe Muhamed Murtezin!