VLEN kërkon hetim për ndërtimet pa leje në Shuto Orizare: Bardhi akuzon Bexhetin, Leskovicën dhe Arsovskën

1 Min. Leximi

Në një konferencë për shtyp, përfaqësuesi i koalicionit VLEN, Suhejb Bardhi, ka kërkuar përgjegjësi dhe transparencë për ndërtimet pa leje në Komunën Shuto Orizare, duke ngritur akuza serioze ndaj kryetares së Qytetit të Shkupit, Danella Arsovska, dhe dy figurave politike të afërta me BDI-në: Ilaz Leskovicës dhe Blerim Bexhetit.

Bardhi publikisht pyeti se kujt i përket objekti i ndërtuar pa leje, duke aluduar se ai është në pronësi të Ilaz Leskovicës, ish-funksionar i LSDM-së dhe aktualisht kryetar i degës së BDI-së në Shuto Orizare. Ai kërkoi sqarime nëse objekti figuron në planet urbanistike dhe nëse ka pasur devijime të paligjshme nga Plani Detal Urbanistik.

- Advertisement -

“Ligji në këtë komunë nuk mund të zëvendësohet me miqësitë e Blerim Bexhetit dhe Ilaz Leskovicës,” tha Bardhi, duke i kërkuar Danella Arsovskës të prononcohet publikisht dhe të mos heshtë për atë që e quajti “kaos urbanistik”.

VLEN kërkoi veprim të menjëhershëm nga inspektoratet ndërtimore dhe Policia Financiare, si dhe fillimin e procedurës penale ndaj kryetares Arsovska për krim urbanistik dhe keqpërdorim të detyrës zyrtare.

“Nëse institucionet heshtin, ne do t’i përdorim të gjitha mjetet demokratike për të mbrojtur interesin publik,” përfundoi Bardhi, duke paralajmëruar dorëzimin e lëndës në Prokurori.

TOP Lajmet

Ndani këtë artikull