Zëvendëskryeministri Izet Mexhiti ka bërë të ditur se Qeveria e Maqedonisë së Veriut ka ndërmarrë një hap të radhës në luftën kundër bixhozit online, duke bllokuar 173 faqe interneti që funksiononin në mënyrë të paligjshme.
“Sot, si Qeveri vazhdojmë me procesin e bllokimit të faqeve të paligjshme të kazinove online – një hap që vjen si realizim i drejtpërdrejtë i njërit prej premtimeve tona më të zëshme para zgjedhjeve,” shkroi Mexhiti në profilin e tij në Facebook. Ai theksoi se VLEN mbetet e vendosur në përmbushjen e premtimeve.
Sipas tij, ky vendim vjen pas bllokimit të 53 faqeve muajin e kaluar, duke e çuar numrin total të faqeve të bllokuara në 226. “Ky është vetëm fillimi,” theksoi Mexhiti, duke shtuar se “do të vazhdojmë me një luftë sistematike kundër kazinove dhe shprehive të dëmshme që po e brejnë shoqërinë dhe familjet tona.”
Në statusin e tij, Mexhiti u shpreh qartë për ndryshimin e kursit të qeverisjes: “Kjo Qeveri, ndryshe nga ajo e mëparshme, nuk do të jetë aleate e industrisë së bixhozit. Kjo Qeveri mbron familjet dhe të ardhmen e të rinjve.”
Ai përfundoi me një mesazh të fortë: “Nuk do të ketë më kazino online në çdo shtëpi, përmes telefonit. Politikë e përgjegjshme për një të ardhme të shëndetshme – kjo është rruga jonë.”
Fushata për ndalimin e bixhozit online është pjesë e platformës së koalicionit VLEN, e cila përmes sloganit “Punë, jo fjalë” synon të vendosë në qendër të vëmendjes mbrojtjen e të rinjve dhe të familjes.