Nga VLEN sot thonë se në vend po ndërtohet një sistem funksional, tërësor dhe afatgjatë për mbrojtjen dhe përmirësimin e mjedisit jetësor.
“Me përkushtim të jashtëzakonshëm dhe vullnet të qartë politik nga ana e subjektit politik VLEN, po ndërtohet një sistem funksional, tërësor dhe afatgjatë për mbrojtjen dhe përmirësimin e mjedisit jetësor. Ky është një kapitull i ri për vendin tonë, një epokë e re e politikave të gjelbra, që nuk mbeten në letër, por marrin formë konkrete përmes ligjeve, projekteve dhe veprimeve reale.
Në Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, çdo ditë punohet intensivisht për miratimin dhe zbatimin e ligjeve kyçe që garantojnë zgjidhje afatgjata për ajër dhe ujë të pastër, mbrojtjen e natyrës dhe një sistem modern të menaxhimit të mbetjeve.
Aktualisht në procedurë qeveritare janë: Ndryshimet dhe plotësimet e Ligjit për Mjedis Jetësor (2 herë), tre ligje nga fusha e menaxhimit të mbetjeve.
Në fazën përfundimtare është edhe Ligji për Kontrollin e Emisioneve Industriale, i cili për herë të parë parasheh vendosjen e sensorëve për matjen e cilësisë së ajrit në kohë reale në të gjitha kapacitetet e mëdha industriale që kanë leje të integruar A – një hap konkret dhe historik drejt mbikëqyrjes së ndotësve të mëdhenj”, thonë nga VLEN.
Në mënyrë paralele, shtojnë nga atje, po punohet me intensitet në: Ligjin për Veprim Klimatik, Ligjin për Natyrën, Ndryshimet e Ligjit për Ujërat. Si dhe për herë të parë në vend po hartohet një Ligj i ri për Planifikimin Hapësinor.