VLEN reagon ndaj deklaratave të pavërteta dhe shpifëse të koordinatorit të Frontit Evropian, Blerim Bexheti. Në një konferencë për media, koordinatori i grupit parlamentar të VLEN-it, deputeti Bekim Qoku, denoncoi sjelljen propagandistike të BDI-së si përpjekje të dëshpëruar për të mbuluar shpërbërjen e saj të brendshme dhe rënien dramatike politike. “Para një viti kishim epidemi korrupsioni, kishim Soravia, kishim kazino e lotari, kishim lojë futbolli në zyrat e qeverisë, kishim abuzim e dëshpërim, sot kemi lista të zeza dhe njerëz në arrati. Ky është bilanci i tyre, jo yni”, deklaroi Qoku.
Sipas tij, BDI, tashmë në një krizë të thellë identiteti, po përpiqet të rikthejë vëmendjen përmes trillimeve dhe lajmeve të rreme, duke sajuar skenarë për rrëzim qeverie që as vetë nuk i besojnë më. “Nuk mund të mbulosh realitetin me konferenca. Nuk mund t’i fshehësh ikjet nga partia me spin e PR. Vetëm dje, një nënkryetar i BDI-së në Dibër iu bashkua VLEN-it. Shqiptarët e kanë kuptuar kush përfaqëson të ardhmen”, theksoi Qoku.
Deputeti i VLEN-it theksoi se për herë të parë shqiptarët po gëzojnë trajtim të barabartë në institucionet shtetërore, falë një qeverisjeje që mbështetet në meritokraci dhe dinjitet njerëzor. “Me VLEN-in në qeveri nuk ka më me 20 vjet përvojë e ende bashkëpunëtor i ri. Janë mbi 800 avancime në administratë që dëshmojnë se shqiptarët nuk janë më qytetarë të dorës së dytë”, tha ai.
Qoku ironizoi ndryshimet e vazhdueshme të retorikës së BDI-së: “I shohim si ndërrojnë dresë sa herë t’ju kujtohet – herë bëhen UÇK, herë agjendë e gjelbër, herë Front Evropian, herë kombëtar, e kur s’u mjafton kjo, hidhen në Ballkan të Hapur. Janë në krizë totale të vetëdefinimit politik”.
VLEN thekson se legjitimiteti i saj buron nga vullneti i pastër i qytetarëve shqiptarë, i dëshmuar qartë në zgjedhjet e fundit parlamentare, dhe se kjo mbështetje do të konfirmohet me fitoren absolute në zgjedhjet e ardhshme lokale. VLEN i bën thirrje Frontit Evropian të ndalë shpifjet dhe të përballet me realitetin: populli shqiptar ka zgjedhur ndryshimin dhe këtë nuk mund ta ndalë më asnjë propagandë.
VLEN, garant i dinjitetit shqiptar në pushtet, BDI në panik e në rënie!

Ndani këtë artikull