“Pasi panë që shqiptarët nuk u bien më gënjeshtrave histerike dhe lajmeve të rreme, pasi u ngopën me skandale korruptive dhe lista të zeza, BDI po luan kartën e fundit! Ata nuk kanë më fuqi të manipulojnë njerëzit me historinë e sajuar të “deshqiptarizimit” dhe tani janë gati të bëjnë një tjetër tradhti politike ndaj popullit të tyre – të bojkotojnë zgjedhjet dhe të përpiqen të provokojnë tensione ditën e votimit”, thonë nga VLEN.
“BDI e di se ka vetëm një mënyrë për të shmangur shtimin e një humbjeje tjetër në numër: një krizë politike!”
Prandaj ata kanë investuar për një kohë të gjatë në perceptimin e rremë se shqiptarët nuk janë të përfaqësuar në mënyrë adekuate sepse BDI nuk është në Qeveri.
Por tani gjithçka është e qartë dhe nuk ka asnjë dilemë! Ali Ahmeti nga Likova e konfirmoi: BDI po përgatit bojkot të zgjedhjeve lokale!
Në të njëjtën kohë, ai pranoi atë që ne kemi pretenduar prej kohësh. Nisma për Ligjin për Përdorimin e Gjuhës Shqipe para Gjykatës Kushtetuese është veza e pulës së BDI-së, me të cilën dëshiron të përfitojë politikisht duke i shkaktuar dëm VLEN-it. Ahmeti nuk ka më zgjidhje. Sondazhet e tyre konfirmojnë të vërtetën e ashpër – shqiptarët nuk duan më t’i votojnë! Ali Ahmetit i është lëkundur autoriteti, pasi ai nga komandant i UÇK-së ka kaluar në peng të Artan Grubit. Të gjithë e dinë se BDI-ja tani është një parti e korruptuar, ku disa njerëz janë bërë milionerë, djemtë dhe vajzat e tyre kanë marrë punë me rroga të mëdha, ndërsa populli mezi ia del mbanë!
I ashtuquajturi “Fronti Europian” i udhëhequr nga BDI-ja tregoi fytyrën e vërtetë në kabinetin e Kuvendit me numër 161! Për të hyrë në qeveri në vend të VLEN-it, VMRO-DPMNE-së i ofruan katër ministri dhe u dorëzuan plotësisht, vetëm për të shpëtuar veten! Shqiptarëve u është bërë e qartë se BDI po i përdor si mish për top për të mos u përballur me drejtësinë!
BDI mund të ikë nga zgjedhjet, por nuk mund t’i ikë gjykimit të popullit. Kësaj radhe dënimi do të jetë i ashpër – do t’i dërgojmë në histori”, thuhet në deklaratën e VLEN-it.