Koalicioni “VLEN” dhe Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) sot akuzohen se ia kanë dorëzuar VMRO-DPMNE-së pushtetin lokal në Kërçovë dhe Strugë. Fillimisht “VLEN” doli me informacione se pjesë e ofertës së BDI-së për t’u përfshirë në qeverinë e kryeministrit Hristijan Mickoski ishte emërimi i kryetarëve nga VMRO-DPMNE në këto dy qytete, transmeton Portalb.mk.
“Ne si Koalicioni VLEN e ftojmë Ali Ahmetin që sonte ta shfrytëzoj tubimin partiak në Gostivar, dhe t’i përgjigjet qytetarëve pse i ofroi Hristijan Mickovskit të bëhen pjesë e Qeverisë në vend të Koalicionit VLEN, me katër ministri, pa kryeparlamentar, bashkë me garancë që në zgjedhjet komunale vitin e ardhshëm do të angazhohen që kandidatët maqedonas të bëhen kryetar komunash në Strugë dhe Kërçovë?”, tha Fari Hiseni nga “VLEN” në konferencën e sotme për media.
Koalicioni shton se BDI-ja ka obligim të përgjigjet nëse dëshiron t’i kthejë shqiptarët në mburojë, për të shpëtuar ish-zyrtarët e tyre të korruptuar dhe anëtarët e familjeve të tyre.
Sipas “VLEN-it”, BDI-ja opozitare e ka të garantuar me Kushtetutë të drejtën e tubimit për ta inkurajuar anëtarësinë, por siç thonë, ata “nuk do të lejojë që BDI përmes gënjeshtrave dhe manipulimeve të tentoj të krijojë pakënaqësi tek shqiptarët”.
“Ne e dimë për çfarë arsye po mundohen t’i shesin këto tregime për gjoja legjitimitetin dhe përfaqësimin e kërcënuar të shqiptarëve në institucione. Këtë e bëjnë sepse duan t’i fshehin gjurmët e mëkateve të tyre. Por, ne jemi këtu për ta fol të vërtetën”, ka shtuar Hiseni.
Në përgjigjen e BDI-së dërguar përmes një komunikate për media, megjithatë thuhet se “VLEN” janë ata që kanë nisur përgatitjen e opinionit për dorëzimin e Kërçovës dhe Strugës.
“Pas instalimit të vazalitetit te turpshëm ndaj VMRO- DPMNE- së, të refuzuarit e shqiptareve e të përzgjedhurit e Mickovskit, pasi ia dorëzuan Ministrinë e Marrëveshjes së Ohrit Stoilkoviqit të Putinit dhe Dimovit të Zingos, pas zëvendësimit të çdo gjëje shqiptare me maqedonase, dhe uljes së përfaqësimit të drejtë për 5% me një aktvendim të paprecedent, tashmë filluan të përgadisin opinionin publik për të dhënë Kërçovën dhe Strugën”, u përgjigj BDI.
Partia shtoi se kjo “kapërcen vijat e kuqe” dhe se koalicioni “do të përballet me rezistencën e popullit dhe të çdo shqiptari”.
“Kjo është një shkelje e rëndë e arritjeve dhe dinjitetit të shqiptarëve, dhe një hap i tillë nuk do të kalojë pa kundërpërgjigje të fortë. Ne do të qëndrojmë të bashkuar dhe të vendosur për të mbrojtur interesin dhe dinjitetin e popullit shqiptar”, shtoi BDI.
Kujtojmë se në zgjedhjet e fundit parlamentare koalicioni VLEN fitoi 14 deputetë, ndërsa Fronti Evropian 18 deputetë, përkatësisht e humbi një deputet, i cili shkoi për VLENIN.