Ish-presidentja Vjosa Osmani ka lëshuar akuza të ashpra ndaj ish-partnerëve politikë, duke i cilësuar si hipokritë dhe të gatshëm të sakrifikojnë shtetin për interesa partiake dhe ideologjike.
Në një fjalim me tone të forta politike, Osmani tha se përplasjet me ish-aleatët kulmuan për shkak të dallimeve ideologjike dhe qasjes ndaj marrëdhënieve me administratën e presidentit amerikan Donald Trump.
Ajo kritikoi ashpër ata që, sipas saj, “e çojnë vendin në zgjedhje çdo tre muaj” dhe që kanë si mision eliminimin politik të secilit që vendos interesin shtetëror mbi interesin partiak.
“Në njërën anë është rruga e atyre që e çojnë vendin në zgjedhje çdo tre muaj sepse nuk ngopen kurrë… rruga e atyre që ia refuzuan popullit 51 për qind vetëm për të eliminuar një president që u ul me presidentin e SHBA-së”, deklaroi Osmani.
Ish-presidentja adresoi kritika të drejtpërdrejta edhe ndaj Lëvizja Vetëvendosje, duke e akuzuar për mungesë parimësie, hipokrizi politike dhe dëmtim të interesave shtetërore. Sipas saj, disa politikanë “e mbajnë qytetarin peng të frikës dhe viktimë të linçimeve”, ndërsa shtoi se është paradoksale që, 27 vjet pas luftës, të sulmohen ata që kanë kontribuar në forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës.

