Edhe gjatë muajit të shenjtë të Ramazanit, punimet për përmirësimin e infrastrukturës në Komunën e Çairit po vijojnë me intensitet të shtuar. Aktualisht, po realizohet rekonstruksioni i rrjetit të ujësjellësit dhe kanalizimit fekal në Rrugën “Nexhat Agolli”, si pjesë e investimeve të vazhdueshme në këtë komunë.


Ky projekt do të sigurojë një infrastrukturë moderne për më shumë se 50 amvisëri, duke garantuar furnizim të rregullt me ujë dhe një sistem kanalizimi funksional. Pas përfundimit të këtyre punimeve, pritet që të nisë edhe asfaltimi i rrugës, duke e përmbyllur transformimin e kësaj zone.
Kryetari i Komunës së Çairit, Visar Ganiu, ka theksuar se ekipet e punës janë të angazhuara maksimalisht për të përfunduar sa më shpejt punimet, ndërsa ka shprehur mirënjohjen e tij për mirëkuptimin e banorëve.
“Çairi po ndryshon dhe investimet për një infrastrukturë më të mirë do të vazhdojnë!” – ka deklaruar Ganiu, duke nënvizuar se projektet zhvillimore në këtë komunë do të vijojnë pa ndërprerje.