Me ftesë të dy autorëve, Naser Ramadani dhe Bajram Sulejmani, dje në mbrëmje pata nderin të marr pjesë në promovimin e monografisë “Mateçi gjatë historisë”. Ky aktivitet, i mbajtur në Shtëpinë e Kulturës në fshatin Mateç, ishte një ngjarje e rëndësishme që pasqyroi historinë dhe trashëgiminë tonë kulturore.
Në këtë ngjarje morën pjesë figura të rëndësishme, përfshirë kryetarin e Komunës së Likovës, z. Erkan Arifi, Reis Ulemaja – H. Shaqir ef. Fetai, kryetarin e Bashkësisë Fetare Islame, si dhe Myftiun e Kumanovës, H. Abedin ef. Imeri. Prania e tyre tregoi për vlerësimin dhe mbështetjen që i japin ruajtjes së trashëgimisë sonë historike.
Në fjalën time, theksova rëndësinë e punës së autorëve për të dokumentuar historinë e Mateçit, si dhe rolin që të tilla botime kanë në forcimin e identitetit tonë kombëtar dhe kulturor. Theksova se ruajtja e historisë është një detyrë që na bashkon të gjithëve dhe se kjo monografi shërben si një urë lidhëse mes brezave.
Ishte një kënaqësi e veçantë të isha pjesë e këtij momenti të veçantë për komunitetin tonë dhe të mbështes një iniciativë që forcon vetëdijen dhe krenarinë për të kaluarën tonë.