Kryetari i Komunës së Çairit, Visar Ganiu, ka reaguar ashpër ndaj deklarimeve dhe sjelljes së kreut të Levicës, Dimitar Apasiev, të cilin e akuzon për gjuhë të urrejtjes ndaj shqiptarëve dhe bashkëpunim të drejtpërdrejtë me kryetaren e Qytetit të Shkupit, Danella Arsovska, dhe Blerim Bexhetin.
Në një reagim publik, Ganiu thekson se trinomi Apasiev–Arsovska–Bexheti po e mban peng Shkupin dhe po e ndëshkon Komunën e Çairit, ku jeton shumicë shqiptare që, sipas tij, nuk pranon nënshtrim politik, por kërkon dinjitet dhe barazi.
“Katër vite pa investime. As parqe, as rrugë, as respekt. Vetëm arrogancë dhe diskriminim institucional. Ndërkohë, Qyteti i Shkupit ka marrë mbi 18 milionë euro nga taksat e qytetarëve të Çairit dhe nuk ka kthyer asgjë mbrapsht,” thekson Ganiu në deklaratën e tij.
Ai shton se BDI dhe Levica janë bërë ortakë në heshtjen e padrejtësive dhe në ndëshkimin e shqiptarëve të Çairit.
“Unë do të vazhdoj të flas. Të kërkoj drejtësi. Të luftoj për bashkëqytetarët e mi. E ti, Apasiev, qëndro në shoqërinë e Blerim Bexhetit dhe Danella Arsovskës – një treshe perfekte për harresë,” përfundon Ganiu.