Vdekja e dyshimtë 27-vjeçarit në Kosovë, lirohen nga qelia pesë policët e dyshuar

2 Min. Leximi

Gjykata e Apelit e Kosovës ka ndërprerë masën e paraburgimit pesë zyrtarëve policorë, të cilët dyshohen për veprën penale “vrasje nga pakujdesia” të 27-vjeçarit, Agon Zejnullahu.

Kështu ka bërë të ditur avokati Besnik Berisha, mbrojtësi i një nga të dyshuarve për këtë rast.
“Kjo nuk ishte thjesht një betejë për lirimin e pesë zyrtarëve, ishte një betejë për arsyen, për të drejtën dhe për të mos lejuar që frika nga opinioni ta zëvendësojë ligjin”, shkroi ai në Facebook.

- Advertisement -

Pesë zyrtarëve policorë, Gjykata Themelore në Prishtinë, dega në Lipjan, më 9 korrik u caktoi masën e paraburgimit prej një muaji. Por, më 17 korrik, Apeli anuloi aktvendimin e Themelores.
Rasti u dërgua në rivendosje dhe më 23 korrik, Themelorja sërish vendosi që pesë zyrtarët policorë të mbeteshin në paraburgim. Për këtë vendim, palët mbrojtëse dërguan ankesë në Apel.
Agon Zejnullahu, 27 vjeç, vdiq në orët e para të 7 korrikut, pasi ishte arrestuar nga policia në Lipjan.
Vdekjen e tij në vendngjarje e kishte konstatuar edhe ekipi mjekësor.
Policia ka thënë se i ndjeri dyshohet se ka qenë nën ndikimin e alkoolit dhe duke sulmuar automjete e kalimtarë, kur është ndaluar nga autoritetet e rendit.
Por, familjarët dhe avokati i tyre, kanë thënë se policia ka përdorur forcë të tepruar ndaj 27-vjeçarit.
Ngjashëm kanë thënë edhe disa përfaqësues të shoqërisë civile, pasi kanë parë disa pamje që kanë qarkulluar në internet.
Komandanti i Policisë për rajonin e Lipjanit, Argjend Gashi, ka dhënë dorëheqje pas vdekjes së Zejnullahut. /rel

TOP Lajmet

ETIKETUAR:
Ndani këtë artikull