Fillimi i vitit të ri do të shënohet me një ndryshim të ndjeshëm të kushteve atmosferike. Sipas njoftimit të Drejtorisë për Punë Hidrometeorologjike (DPHM), nga mesi i janarit pritet rënie e ndjeshme e temperaturave, të cilat të hënën, më 12 janar, do të zbresin deri në minus 9 gradë Celsius.

Edhe pse ditët e para të janarit u karakterizuan nga mot relativisht më i butë, meteorologët paralajmërojnë se kjo situatë nuk do të zgjasë. Në ditët në vijim parashikohet mot i paqëndrueshëm, me vranësira dhe reshje të kohëpaskohshme shiu, ndërsa në zonat malore reshje bore.
DPHM thekson se veçanërisht gjatë fundjavës, sidomos të shtunën, priten reshje lokale shiu dhe bore. Si pasojë e depërtimit të ajrit të ftohtë dhe erërave të fuqishme veriore, të enjten reshjet në zonat më të larta do të shndërrohen në borë.
Në malet e pjesës perëndimore të vendit pritet formimi i një shtrese të re bore, ndërsa reshje të lehta bore nuk përjashtohen as në disa zona të ulëta.
Për Shkupin, meteorologët paralajmërojnë se të mërkurën, veçanërisht nga fundi i ditës dhe gjatë natës, do të ketë reshje intensive shiu, mbi 25 litra për metër katror, të shoqëruara me erë të fortë nga drejtimi jugor.


