Kandidati i AKI-së për kryetar të Komunës së Gostivarit, Valbon Limani gjatë një paraqitjeje për shtyp njoftoi se janë në epërsi me vota nga kundërkanditati nga koalicioni VLEN, Nevzat Bejta, transmeotn Portalb.mk.
Limani tha se nga qendra analitike e AKI-së, me 40% të rezultateve, trendi është diku 2,5 me 1.
“Presim që i njëjti trend të mbetet deri në fund të rezultateve përfundimtare. Ky rezultat është mesazh se gostivarasit gjithnjë kanë ditur të zgjedhin kush duhet t’i udhëheqë dhe kush duhet të jetë kryetar komune. asnjëherë nuk kanë lejuar që të jenë viktimë e presioneve apo e lojërave politike. Rezultati momental është 9 mijë me 4 mijë sipas qendrës analitike tonë”, tha Limani.
Sipas 60,33% të votave të numëruara nga KSHZ-ja, Limani ka 8,928 vota, ndërsa Bejta 4,565 vota.
Zgjedhjet e përsëritura për kryetarë u mbajtën në katër komuna: Gostivar, Vrapçisht, Mavrovë&Rostushë dhe Qendër&Zhupë. Zgjedhjet përsëriten për shkak se në rrethin e parë të zgjedhjeve të rregullta të mbajtura në tetor nuk u arrit pragu i daljes së një të tretës së votuesve apo 33.33%.
Në Gostivar pjesëmarrja ishte 33.31 %, në Vrapçisht 25.18%, në Mavrovë&Rostushë 30.31% dhe në Qendër Zhupë 21.49%. Në zgjedhjet e përsëritura nuk vlen pragu i daljes prej një të tretës së votuesve.

