Tronditëse ishte ngjarja e djeshme në Shkallnur të Durrësit, ku 25-vjeçari Marjan Kodheli goditi me thikën e bukës për vdekje babain 69-vjeçar. Nga hetimet e deritanishme, dyshohet se i riu vuante nga probleme të shëndetit mendor.
Mësohet se babai i tij kishte deklaruar më herët në spital se djali nuk kishte probleme mendore dhe nuk kishte nevojë për kurim.
Burime nga grupi hetimor bëjnë me dije se familjarët kanë dëshmuar që 25-vjeçari më herët kishte shkuar në spital për t’u vizituar, rreth dy vjet më parë. Mjekja i kishte thënë se duhej të bënte vizitë tek një mjek psikiatër për të vlerësuar gjendjen mendore, por ai dhe familja e tij nuk kishin pranuar, me pretendimin se nuk kishte probleme të shëndetit mendor. Në fshat njihen si familje e qetë, pa probleme, por djali kishte ikur herët në emigracion.

