Maqedonia e Veriut ka nevojë urgjente për investime të reja në kapacitete akomoduese duke pasur parasysh faktin se kemi një numër në rritje të turistëve të huaj dhe një numër në rënie të kapaciteteve. Megjithatë, pavarësisht rritjes së numrit të turistëve që vizitojnë vendin, qëndrimi i tyre mbetet i shkurtër
Shkup, 28 korrik – Të dhënat statistikore tregojnë rezultate më të mira në turizëm në vitin 2024 se në vitin paraprak. Vetëm në 11 muajt e parë të vitit është rritur numri i turistëve të huaj për 8.3 për qind. Bile në vitin 2024, qytetarët dhe turistët vendor kanë rritur ndjeshëm shpenzimet e tyre vetëm në restorante dhe hotele, duke sjellë të ardhura rekord prej 270.2 milionë euro për nëntë muaj, sipas të dhënave nga Enti Shtetëror i Statistikave. Kjo paraqet një rritje prej 23.7 milionë euro krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2023. Këto shifra tregojnë se industria turistike e vendit ka potencial për më shumë.
“Fluksi i përgjithshëm valutor nga turizmi në Prodhimin e Brendshëm Bruto në tre tremujorët e parë është rritur me 3 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Rritje prej 15 për qind ka pasur edhe tek numri i turistëve të huaj, si dhe rritje dhjetë për qind e netëve”, thotë drejtoresha e Agjencisë për promovim dhe përkrahje të turizmit Biljana Stefanoska.
Ajo bën të ditur se Draft-Programi i Agjencisë për vitin 2025 përfshin promovim më gjithëpërfshirës të turizmit nëpërmjet pjesëmarrjes në panairet botërore të turizmit, zhvillimit rajonal të turizmit dhe pasurimit të ofertës. Synimi, thekson ajo, është që vendi të jetë një destinacion turistik konkurrues, duke qenë se ka burime tërheqëse dhe unike që duhen vënë në funksion të turizmit aktiv. Në vitin 2025, do të zbatohet ë edhe projekti “Përcaktimi i Pasurive Kulturore”. Lokacionet e Skupit, Akuaduktit dhe Govrlevës do të shënohen me vendosjen e tabelave informative. Do të zbatohet edhe faza e parë e projektit “Vendosja e tabelave informuese turistike”. Zhvillimi i turizmit, thotë drejtoresha , duhet të pasohet me rritje ekonomike, por nevojiten investime dhe një strategji e re turistike, e cila do t’i hapë rrugë këtij sektori që të jetë faktor në ekonominë e Maqedonisë.
“Zhvillimi i turizmit duhet të jetë synimi ynë strategjik, veçanërisht në drejtim të investimeve të reja dhe zhvillimit teknologjik, si faktorë për të cilët do të kërkohen ndryshime urgjente. Rritja mund të jetë pjesë e zhvillimit, por në vetvete nuk garanton zhvillim të qëndrueshëm ose gjithëpërfshirës. Suksesi në turizëm qëndron në qëndrimin inovativ të përdorur nga palët e interesuara, si dhe në qëndrueshmërinë e treguar nga destinacionet dhe kompanitë në momentet e pasigurisë” , theksoi Stefanoska.
Nevojiten investime nëse duam që industria e turizmit të ketë një peshë të konsiderueshme në PBB si sektor ekonomik. Maqedonia ka potencial të madh turistik, por trendet turistike janë dinamike. Prandaj, duhet të merren parasysh forma të reja alternative të turizmit. Turizmi i qëndrueshëm është e ardhmja jonë dhe hapi ynë i ardhshëm në zhvillimin e destinacionit, pasi ka përfitime të jashtëzakonshme për mjedisin, shoqërinë dhe komunitetet lokale. Zhvillimi i formave alternative të turizmit do të ndikojë drejtpërdrejt në rritjen e fluksit valutor, në forcimin e sipërmarrjeve të vogla dhe të mesme që operojnë në fushën e turizmit, në uljen e papunësisë, si dhe në përmirësimin e situatës së përgjithshme ekonomike në vend shton ajo. “Gjithashtu praktikat e përgjegjshme të turizmit synojnë të minimizojnë ndikimet negative në mjedis, kulturë dhe komunitetet lokale duke maksimizuar përfitimet. Turizmi i qëndrueshëm mund të nxisë krijimin e vendeve të punës duke promovuar praktika të përgjegjshme mjedisore, sociale dhe kulturore. Duke u fokusuar në sigurinë, origjinalitetin, qëndrueshmërinë dhe personalizimin, destinacionet mund të përmirësojnë reputacionin e tyre dhe të tërheqin vizitorë si për turizmin aventuresk ashtu edhe për atë kulturor. Trashëgimia jonë kulturore është pjesë integrale e zhvillimit tonë strategjik për turizmin e qëndrueshëm si pasuri e madhe për Maqedoninë dhe rajonin”, shprehet Stefanoska.
Nga ana tjetër, mesatarja e qëndrimit të turistëve të huaj në Maqedoni është dy ditë. Pavarësisht rritjes së numrit të turistëve që vizitojnë vendin, qëndrimi i tyre mbetet i shkurtër, tregojnë të dhënat e Entit Shtetëror të Statistikave.
Punonjësit e turizmit thonë se shkak për këtë janë mungesa e kapaciteteve akomoduese, lidhjet ajrore në aeroportet e Maqedonisë, të cilat janë dukshëm më të pakta në krahasim me vendet fqinje, dhe linjat e autobusëve. Trafiku hekurudhor është pothuajse inekzistent, dhe lokacionet tërheqëse turistike nuk kanë infrastrukturë të mjaftueshme për të akomoduar më shumë turistë, dhe shpesh janë të neglizhuar në aspektin e higjienës dhe mirëmbajtjes, pa tualete publike. Në vitin 2023, shteti kishte të ardhura prej 598.54 milionë dollarësh nga turizmi, një rritje prej 25 për qind krahasuar me një vit më parë, sipas Agjencisë për Promovimin dhe Mbështetjen e Turizmit. Sipas ish kreut të kësaj agjencie Ljupço Janevski, Maqedonie ka nevojë urgjente për investime të reja në kapacitete akomoduese duke pasur parasysh faktin se kemi një numër në rritje të turistëve të huaj dhe një numër në rënie të kapaciteteve. Duhen investime në hotele të reja, në marka botërore, si dhe fillimi i kategorizimit të kampingjeve në vend, përmirësimi i kushteve dhe futja e praktikave të reja rajonale në turizëm, theksojnë analistët.
“Duhet të punojmë për përmirësimin e shërbimit dhe futjen e praktikave evropiane dhe globale në fushën e mikpritjes dhe turizmit. Gjithashtu, menaxherët tanë duhet të krijojnë produkte të reja turistike që do të rrisin konkurrencën e destinacionit në vitet në vijim. Në këtë mënyrë do të arrijmë t’i arrijmë qëllimet strategjike – rritjen e numrit të turistëve, natën dhe devizat, të cilat deri në vitin 2027 duhet të kalojnë një miliard dollarë”, shton eksperti Ljupço Janevski.
Njëherësh mund të arrihen një miliardë dollarë të ardhura në turizëm deri në vitin 2028 mirëpo kjo kërkon implementimin e më shumë praktikave të dëshmuara në rajon . Nevojitet edhe vazhdimi i investimeve në infrastrukturë, modernizimi i aeroporteve, ulja e ekonomisë gri, model i ri i subvencioneve që do të përforcojë turoperatorët vendor…
Ndryshe, rajoni i Shkupit dhe ai jugperëndimor me Ohrin dhe Strugën kanë numrin më të madh të vizitave turistike, me 65 për qind të totalit të vizitave dhe net qëndrimeve gjatë vitit. (koha.mk)