Përgatitjet për zgjedhjet lokale kanë shkaktuar tensione të brendshme në Aleancën për Shqiptarët (krahu i Ziadin Selës), ku garat për kandidaturat për kryetarë komunash po hapin përplasje mes strukturave lokale dhe lidershipit qendror.
Në Strugë, kryetari i degës Lulzim Nasufi nuk pranon të heqë dorë nga kandidatura, duke rikujtuar se iu është premtuar pozita që në kohën kur mori drejtimin e degës. Megjithatë, Ziadin Sela po shqyrton mundësinë që vetë të garojë për Strugën, duke krijuar një situatë të tensionuar.
Në Haraçinë, ish-drejtori i Agjencisë për Menaxhim me Pronë të Konfiskuar, Driton Nebiu, ka nisur në mënyrë aktive fushatën për kryetar komune përmes rrjeteve sociale. Ai ka edhe përkrahjen ish-Ministrit të Drejtësisë, Krenar Lloga. Por, kundërshtimin më të madh e ka nga vetë partia lokale. Kryetari i degës së ASH-së në Haraçinë, Skender Isufi, kundërshton kandidaturën e Nebiut duke thënë se ai ka qenë dy herë drejtor në qeverisje dhe se “mjaft ka qenë funksionar”, ndërsa tash është koha që ai, si kryetar i degës, të marrë përgjegjësinë për të udhëhequr institucionin lokal.
Ndërkohë në Dibër, gara është mes Tiron Jajagës, ish-zëvendësministër i Mbrojtjes, dhe Ilirjan Fetahut, kryetar aktual i degës. Përplasja pritet të intensifikohet, pasi të dy palët pretendojnë mbështetje të fortë nga baza dhe lidershipi.