Presidenti amerikan, Donald Trump, ka njoftuar se Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të dërgojnë “pajisje të ndryshme” ushtarake që janë “shumë të sofistikuara” në Ukrainë, ka raportuar BBC.
Tek ka folur të dielën në mbrëmje, presidenti amerikan ka konfirmuar se pajisjet do të përfshijnë sistemet e mbrojtjes ajrore Patriot, “të cilat ata [ukrainasit] i kanë shumë të nevojshme”, teksa disa raporte kanë sugjeruar se SHBA-ja do të dërgojë edhe armë të karakterit ofensiv.
Trump ka kritikuar gjithashtu presidentin rus, Vladimir Putinin, tek ka thënë se “ai flet bukur dhe pastaj i bombardon të gjithë në mbrëmje”, gjë që vërteton shenjat e frustrimit të presidentit amerikan kundrejt shefit të Kremlinit.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, pati thënë javën e kaluar se SHBA-ja kishte rifilluar furnizimin ushtarak për Ukrainën, përderisa sulmet ajrore ruse janë intensifikuar gjithnjë e më shumë.
Në të njëjtën kohë, i dërguari i posaçëm amerikan për Ukrainën, Keith Kellogg, ka mbërritur në Kiev, duke përqafuar shefin e stafit të Zelenskyt me të zbritur nga treni.